Partitë opozitare janë dal sërish kundër propozimit për shtyrjen e zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen me 17 tetor.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga presidentja, Vjosa Osmani ku do të kërkojnë që të mbahen zgjedhje lokale.
Sipas tij, mund të anulohet fushata apo të vendosen të tjera kritere, por jo edhe të anulohen zgjedhjet.
Gashi tregoi edhe për mbledhjen e Kryesisë së LDK-së e cila ka filluar në ora 14:00.
“LDK sapo ka filluar mbledhjen e kryesisë ku do te marr qëndrim zyrtar. LDK do të marr pjesë në takim dhe do të kërkojë të mbahen zgjedhjet. Mungesa e legjitimitetit rrezikon demokracinë. Mund të anulohet fushata mund të vendosen kritere por jo të anulohen zgjedhjet”, u shpreh Gashi.
Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se si parti nuk kanë pasur kërkesë për shtyrje të zgjedhjeve.
“Deri më tani PDK-së nuk i është drejtuar asnjë kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve. Ne kemi pas propozim për shkurtim të fushatës. PDK do të jetë pjesë e takimit të ftuar nga presidentja dhe pastaj do të shohim”, u shpreh Tahiri.
Kurse, Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se shtyrja e zgjedhjeve do të ishte goditja më e madhe që prej pasluftës për demokracinë e Kosovës.
Tahiri ka përsëritur qëndrimin e Aleancës që mund të ketë shkurtim të fushatës apo mbajtje të saj online por jo edhe shtyrje të zgjedhjeve.
“Zgjedhjet nuk mund të shtyhen, ne mund të bëjmë inovacione në raport me fushatën, ta bëjmë online app ta shkurtojmë, por shtyrja e zgjedhjeve është goditja më e madhe pas luftës që i jepet demokracisë në Kosovë”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa, Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, u shpreh se duhet të ketë vendim konsensual nga të gjitha partitë.
“Qëndrimi ynë është të jetë vendim konsensual i gjitha partive. Fare nuk insistojmë në njërin ose tjetrin variant. Është e rëndësishme të kemi parasysh shëndetin publik të qytetarëve, e në dakordim me rekomandim të IKSHPK-së të kemi edhe fushatën në rast se vazhdohet me datë të njëjtë të zgjedhjeve. Por si Grup Parlamentar i LVV-së dakordohemi e jemi pajtueshmëri të plotë me gjitha partitë tjera pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale”, ka thënë Kusari-Lila. /Demokracia.com/