Lajme
Opozita paralajmëron radikalizim të veprimeve, s’i përjashton protestat kundër Qeverisë Kurti
Demokracia
13:09 | 08 Korrik 2023

Share:

Subjektet politike opozitare kanë paralajmëruar radikalizim të hapave të tyre ndaj Qeverisë Kurti. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë bërë me dije se nëse Kosova vazhdon të ndëshkohet me sanksione nga aleatët, ata nuk do të qëndrojnë duarkryq.

Sipas tyre, opsioni i fundit do të jetë organizimi i protestave për të larguar Qeverinë Kurti nga pushteti.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka bërë me dije se nëse Qeveria nuk reflekton karshi kërkesave të aleatëve , partia e tij do të ndërmarr hapa tjerë.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka treguar se këto veprime kërkojnë një konsensus më të gjerë.

“Ka nevojë për të krijuar një lëvizje të gjithmbarshme popullore, e cila bëhet bashkë për të ndalur kursin e degradimit të mëtutjeshëm në të cilin është duke na dërguar ky kryeministër. Dhe PDK-ja do të luaj rolin kryesor në këtë drejtim. Andaj, nëse do të ketë përkeqëson, nëse do të ketë insistim për të shkuar tutje, nëse do të këtë shtuarje të sanksioneve ndaj Kosovës, padyshim që edhe veprimet tona do të jenë karshi dhe të barasvlershme në raport me gabimet apo veprime që do i ndërmarr kjo qeveri”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka bërë me dije se opsion janë edhe protestat kundër Qeverisë Kurti.

“Absolutisht nuk i përjashtoj protestat, por ato do të ishin një nga mjetet e fundit që do t`i zgjidhnim. Sepse mendoj se ka ende hapësirë që me mjete tjera demokratike të zgjidhim situatën. Që të dakorodohemi me një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme”, është shprehur Krasniqi.

Pro protestave është shprehur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai ka bërë me dije se duke parë veprimet e qeverisë opsioni i vetëm do të mbetet rruga.

“Unë ende nuk kam dëgjuar një propozim që thotë se ju duhet të bëni diçka që s’përfundon në gaz lotsjellës. Edhe një herë kur kemi politika institucione, i kemi institucionet e Kosovës. Ne besojmë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, besojmë në rendin kushtetuese të Kosovës, besojmë në rendin kushtetues të Kosovës. Për këtë jemi parti institucionale me bindje të plotë. Këtë rast kjo nuk trajtohet në institucionet e Kosovës. Mund të trajtohet përmes mocionit të mosbesimit, për të cilën do të flas, por është veprim politik. Pra rruga e vetme është rruga. Unë nuk e përjashtoj si mundësi. Absolutisht nuk e përjashtoj, por për këtë kemi nevojë për mbështetje popullore.”, ka deklaruar ai në një intervistë për T7.

Ndërsa, AAK-ja shpreson se partitë opozitare shumë shpejt do të ulen për të diskutuar rreth kësaj çështje.

Nënkryetari i kësaj partie, Pal Lekaj, ka thënë se opozitës nuk po i mbetet rrugë tjetër.

“Ajo që mund të them në realisht deri më tani nuk kemi deputet, numrat që për të rrezuar qeverinë, na mbetet që të koordinohemi, që të shkojmë si front opozitarë nëse duhet edhe me protesta që të ndalet kjo qeveri dhe që mos të izolohet vendi dhe të mos atakohemi nga këto ndëshkime qytetarët”, ka deklaruar Lekaj për EO.

Sipas tij, opozita duhet t`i koordinojë aktivitet e tyre.

“Mirëpo shpresoj që në ditët në vijim do të ulemi e do të bisedojmë edhe për mocion edhe për veprime të mëtutjeshme që do të jenë veprime politike, demokratike që për të qortuar Qeverinë e Kosovës. Nëse vazhdon kështu nëse do të kemi prapë ndëshkime edhe nga ShBA-ja atëherë nuk dihet se çka i ka mbetur këtij kryeministri përpos të shkojë në shtëpi”, është shprehur Lekaj.

Iniciativat e ndryshme të opozitës ndaj Qeverisë

Pavarësisht synimit të njëjtë, PDK, LDK dhe AAK nuk kanë mundur të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të kundërshtuar Qeverinë Kurti. Megjithatë, këto parti kanë treguar alternativat e tyre për daljen nga situata aktuale në të cilin ndodhet Kosova.

Partia më e madhe në vend, PDK, mendon se kjo duhet të arrihet vetëm për zgjedhjeve të parakohshme, AAK-ja është për rrëzimin e Qeverisë përmes mocionit të mosbesimi, kurse LDK-ja po kërkon një rrugë të tretë për t`i kundërshtuar politikat e kryeministrit Kurti.

Për të diskutuar gjendjen në vend, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dje ka thirrur Këshillin Drejtues të partisë.

Këshilli Drejtues i PDK-së ka miratuar edhe në deklaratë me 10 pika, ku kërkohet edhe mbajta e zgjedhje e parakohshme.

“Partia Demokratike e Kosovës do të pezullojë çdo komunikim zyrtarë me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, përveç në situata të jashtëzakonshme apo emergjente, si dhe për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, përmes dorëheqjes së Kryeministrit apo përmes shpërndarjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, është thënë në piken 7 të Deklaratës.

Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje ka filluar konsultat me opinionistë e gazetarë për të kërkuar një rrugëdalje pa Kryeministrin Kurti.

Ai ka thënë se takimet e tilla do t`i vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Do të vazhdojmë të takojmë e të flasim me secilin akter të Kosovës. Jemi në përpjekje të vazhdueshme për ndërtimin e një mendimi veprues, që ballafaqon theqafjen nacionale tek e cila jemi futur tash e një kohë të gjatë. Rruga jonë, e së ardhmes, zhvillimit, e një Kosove njëmendtë sovrane, e barabartë mes kombeve euroatlantike, është rrugë e paalternativë. Jam i bindur se shoqëria kosovare, populli i Kosovës, ka mjaftueshëm masë kritike ta ndërtoj këtë rrugë”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.

Deri me tani të tri partitë opozitare kanë bërë me dije se do ta bojkotojnë procesin e votimit në Kuvendin e Kosovës.

Të ngjashme