Lajme
Opozita në SHBA, Kurti vazhdon të sorollatet nëpër Evropë me takime të parëndësishme
Demokracia
19:05 | 16 Nëntor 2022

Share:

Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar, ndërsa gjendja ekonomike e rënduar, ku po vazhdon ikja e të rinjve. Por, të gjithë këto probleme nuk po ia ndalin hovin e vizitave vend e pa vend, kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të tij.

Ditë më parë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë u ‘sugjeroi’ ministrave Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla që t’i anulojnë vizitat në SHBA për shkak të situatës në vend, shkruan Demokracia.com.

Por, përderisa Kurti po shëtitet nëpër Evropë në disa vizita të parëndësishme, liderët e opozitës së Kosovës, Memli Krasniqi i PDK-së e Lumir Abdixhiku i LDK-së, po priten nga zyrtarët e lartë të SHBA-së.

Ky sugjerim i miqve amerikanë nuk e pengoi Kurtin që të niset për në Gjermani për në hapjen e Forumit Ekonomik “Global Connect 2022”, menjëherë pas Samitit të Paqes në Paris.

Megjithatë, përderisa vizita në Francë kishte një peshë, vizita në Gjermani duket një nga ato vizitat vetëm sa për të mos qëndruar në Kosovë.

Në hapjen e këtij forumi në Gjermani madje u panë edhe shumë pak njerëz të politikës.

Ditën e parë të qëndrimit në Shtutgart, Albin Kurti e përmbylli me një takim me studentë dhe anëtarë të shoqatave shqiptare që veprojnë në Baden-Württemberg, vizita këto që në trend ishin dikur menjëherë pas luftës, pas vitit 2000.

Kurti me ta bisedoi për progresin e shënuar, punën e qeverisë, sfidat e kohës dhe të ardhmen, si dhe për rolin e mërgatës në zhvillimin e gjithmbarshëm në vend.

Ai i falënderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe për interesimin e vazhdueshëm për vendin dhe format sesi mund të kontribuojnë për të.

Me pas u tha se kryeministri Kurti po i vazhdon takimet me përfaqësues të bizneseve dhe të shoqërisë në Baden-Württemberg

Sipas një njoftimi të Qeverisë, Kurti së bashku me Ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, zhvilluan një drekë punë më përfaqësues të kompanive anëtare dhe përfaqësues politikë të nivelit lokal dhe federal. Përgjatë bisedës, kryeministri Kurti, pasi prezantoi mundësitë që Kosova ka në të bërit biznes, ftoi të pranishmit që të vizitojnë vendin tonë për të parë nga afër përparësitë që ka për investimet e huaja.

Gjatë ditës, kryeministri Kurti po ashtu vizitoi Baden-Württemberg Stiftung. Baden-Württemberg Stiftung u themelua në vitin 2000 si Fondacioni Shtetëror me seli në Shtutgart. /Demokracia.com/

Të ngjashme