Lajme
Opozita në Prishtinë rikthehet në Kuvend, iu rrezikua mandati pas pesë muajve mungesë
Demokracia
19:55 | 09 Tetor 2023

Share:

Pas pesë muajve mungesë, opozita në Prishtinë iu ka rikthyer pjesëmarrjes në seancat e thirrura nga Kuvendi Komunal, pas ngërçit politik që e kishin në lidhje me procesin e zgjedhjes së kryesuesit. Pozita thotë se ata u kthyen për shkak të mosrrezikimit të mandatit të tyre, ashtu siç e njeh edhe ligji. Mirëpo nga opozita thonë se u kthyen pasi mbledhjet ku munguan ata nuk ishin të mirëfillta.

Përplasjet mes pushtetit e opozitës janë rikthyer të hënën në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Në dy seancat e fundit opozita e udhëhequr nga LVV, AAK dhe AKR, mungoi duke e cilësuar zgjedhjen e kryesuesit Pëllumb Bajqinovci si të kundërligjshëm.

Por në seancën e tretë me radhë, edhe pse kryesuesi mbetet i njëjtë, opozita u kthye.

Është ligji për vetëqeverisje lokale i cili në nenin 37 thotë se nëse asamblistët mungojnë 3 mbledhje pa arsye, kryesuesi mund të kërkojë zëvendësim të tyre nga KQZ-ja.

Këshilltari komunal nga radhët e LVV-së, Gëzim Sveçla, deklaron se nuk janë rikthyer për shkak të frikës për zëvendësim.

“Mbledhjet e deritanishme nuk ishin mbledhje të mirëfillta, pasi të njëjtat nuk i njeh si të ligjshme MAPL-ja”, tha Sveçla.

Por kryesuesi Pëllumb Bajçinovci thotë se edhe nëse nuk do të merrnin pjesë në këtë seancë, ai nuk do të kërkonte zëvendësimin e tyre.

Bajçinovci u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal në seancën e jashtëzakonshme të 24 qershorit, pa prezencën e opozitës.

Pas shpalljes të mbyllur të një seance më herët nga kryesuesi i atëhershëm, Fehmi Kupina, MAPL-ja pati vendosur që ta dërgojë në gjykatë lëndën pasi nuk e njeh të ligjshme seancën e 8 qershorit.

Edhe pasi Gjykata Themelore kishte vendosur në favor të Komunës duke i dhënë të drejtë, Gjykata e Apelit e kishte cilësuar të gabuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, për çka e pati rikthyer në gjykim prapë pozitën e kryesuesit në Komunën e Prishtinës.

Të hënën Kupina si asamblist i pavarur sërish ka thënë se nuk pajtohet me rrëzimin e tij nga detyra, si dhe me mënyrën e funksionimit të Kuvendit Komunal të kryeqytetit.

Të ngjashme