Lajme
Opozita, Muratit: S’janë përfshirë rekomandimet e Kushtetueses në skemën pensionale
Demokracia
14:22 | 27 Korrik 2023

Share:

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka folur për skemën pensionale për të cilën ka thënë se do të përfitojnë rreth 70 mijë persona.

Murati, ka sqaruar para Komisionit se rreth kësaj çështje kanë pranuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ka qenë një zotim i yni si Qeveri dhe ka qenë edhe kërkesë e pensionerëve, e cila më në fund po merr përgjigjen e duhur sa i përket rregullimit të kuadrit ligjor. Në lidhje me këtë kemi pranuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtuese”.

“Në bazë të përllogaritjes që kemi bërë parashihet që në skemën parciale të kalojnë rreth 70 mijë persona. Periudha nga largimi nga puna konsiderohet si periudhë e punës për hir të njohjes së kontributit 15-vjeçar”.

Ai ka thënë se është e nevojshme që të bëhet edhe llogaritja e kostove e po ashtu të vlerësohet edhe impakti buxhetor.

“Si impakt buxhetor vlerësohet të jetë diku 60 milionë euro në vit. Është e nevojshme të bëhet edhe llogaritja e kostove për 50 vite. Dhe kostoja ka dalë të jetë rreth 1.3 miliard euro për këto 50 vite”.

Por, kritikues ndaj këtij ligji ishin deputetë e opozitës.

Shemsedin Dreshaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se në vendim nuk janë të përfshira dy rekomandimet e Kushtetueses.

“Nuk janë dy rekomandimet e Gjykatës Kushtuesese të përfshira brenda. Të gjitha vendet që kanë dalë nga konfliktet e kanë rregulluar që me reformë çdo tre vjet të bëhet rregullimi i pjesëmarrësve në këtë kategori. Ndoshta ministër do të ishte mirë që një skemë që e ka hartuar Kroacia të merrej në konsideratë. Ftoj që të gjithë të jemi unik pasi këta njerëz kanë nevojë për ne”.

Kurse deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se kjo çështje kërkon kohë nëse dëshirojmë që të realizohet në mënyrën e duhur.

“Nuk e di se si do ta informoni Gjykatën Kushtetuese sa i përket plotësimit të vendimit në plotni dhe se si ata do të përgjigjen. Mendoj që zgjidhja parciale do të mbetet temë e hapur, ne duhet të ulemi bashkërisht”, tha Zemaj.

Por, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, potencoi se të gjithë qytetarët e mirëpresin këtë ligj.

“Besoj që të gjithë qytetarët e mirëpresin ligjin. Ne jemi para një reforme të të gjitha skemave dhe mendoj që edhe skemat tjera do të rregullohen”, ka shtuar ajo.

Pensionistët e përjashtuar nga skema për stazhin pensionale për punën në vitet 90-ta që u larguan nga puna përmes masave të dhunshme, nga tash e tutje do t’iu numërohen vitet e punës, sepse Qeveria e Kosovës ka propozuar projektligjin e ri për pensione.

Nëse projektligji votohet në Kuvend, atëherë të gjithë ata që kanë vite punë në vitet 90-ta do të mund të marrin pension më të lartë, meqë do iu njihen kontributet pensionale./Albania Post/

Të ngjashme