Lajme
Opozita mirëpret vendimin e Kushtetueses për Ligjin për zyrtarët publikë
Demokracia
16:28 | 03 Gusht 2023

Share:

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila shpalli disa nene anti-kushtetuese të Ligjit për zyrtarët publikë, që u miratua në Kuvend në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Kushtetuesja të enjten publikoi vendimin, me të cilin konstatoi se disa nene të Ligjit për zyrtarët publikë janë anti-kushtetues. PDK-ja e LDK-ja e kishin dërguar Ligjin në Kushtetuese.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se vendimi i Kushtetueses dëshmoi se angazhimi i tyre për rendin kushtetues dhe vlerat demokratike është i domosdoshëm.

“Kjo është edhe një dëshmi se angazhimi ynë për mbrojtjen e rëndit kushtetues dhe vlerave demokratike jo vetëm se është i vlefshëm por edhe i domosdoshëm. Ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, për të shtatën herë më radhë konfirmon veprimtarinë dhe aktivitetin antikushtetues të kësaj qeverie dhe paraqet në të njëjtën kohë, goditje të drejtpërdrejtë të tendencave dhe përpjekjeve të pushtetit autokratik të Albin Kurtit për të kapur dhe nënshtruar administratën shtetërore dhe të njëjtën t’a kthejë në qerdhe të militanteve, familjarëve dhe partisë së tij. Kjo është fitore e radhës e demokracisë dhe ju dedikohet të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Arben Gashi, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se pushteti e mori edhe një “karton të kuq” nga Kushtetuesja.

“Lufta e pushtetit për pushtet pa kufi sot e mori edhe një karton të kuq nga Gjykata Kushtetuese. Sot, fitoi ligjshmëria, fitoi kushtetutshmëria. Humbi mundësia e kapjes së radhës, humbi beteja kundër zyrtarëve publikë. Humbi mendësia shkatërruese – antikushtetuese. Gjykata e rrëzoi Ligjin për Zyrtarët Publikë: Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës ka vendosur njëzëri që Ligji për Zyrtarët Publikë nuk është në përputhshmëri me dy paragrafin 1 të nenit 3, Barazia para Ligjit, të Kushtetutës së Kosovës”, ka shkruar Gashi.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se sikur Kosova të ishte anëtare e BE-së, kjo Qeveri do të ishte lidere evropiane, sipas tij, në shkeljet e kushtetushmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese se Ligji për Zyrtarët Publik është antikushtetues, është një epilog logjik dhe demokratik kundër qasjes së këtij establishmenti që përmes logjikës së numrave dhe dominimit, po synon thyerjen e kurrizit të administratës publike dhe rrënimin e karrierës profesionale në shtet. Po të ishim pjesë e Këshillit të Evropës, kjo qeveri do të ishte lidere evropiane në shkeljet e kushtetushmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë Tahiri.

 

Të ngjashme