Lajme
​Opozita kundër Fondit Sovran, mund të përfundojë në Kushtetuese
Demokracia
11:13 | 27 Maj 2023

Share:

Partitë opozitare kanë shprehur kundërshtimet e tyre në lidhje me Projektligjin për Fondin Sovran, i cili është në konsultim publik.

Sipas tyre, ky fond është antikushtetues, madje ende pa kaluar në Kuvend, opozita thotë se do e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se për pozitën kjo Gjykatë është e parëndësishme.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala thotë për KosovaPress se draft-ligji për Fondin Sovran ka mangësi të mëdha dhe si i tillë mund të bie ndesh me parimet Kushtetuese.

“Kështu siç është i shkruar draft-ligji për Fondin Sovran ka mangësi të mëdha, ka mangësi juridike, ekonomike, logjike e strategjike. Nuk përmbush kriteret sa i përket zgjidhjes së problemeve ekonomike, ndërmarrjeve publike, nuk përmbush kriteret e aspektit mjedisor e as aspektit social. Si tërësi draft ligji lë shumë për të dëshiruar dhe konsiderojë në shumë pika mund dhe bie ndesh edhe me parimet Kushtetuese. Andaj, konsiderojmë se duhet t’i nënshtrohet një ekspertize të mirë profesionale nëse dëshirojnë që të kalojnë në Kuvend dhe të jetë funksional. Parimisht ka mangësi tepër të mëdha që janë jashtë parimeve të ekonomisë së tregut të lirë, si koncept, si Fond Sovran ne nuk e kundërshtojmë, por e kundërshtojmë si përbërje, si tërësi e materie që parimisht nuk zgjidh problem dhe nuk shohim perspektivë zhvillimore…Nëse shkon me këto parime është edhe antikushtetues dhe antiligjor dhe jo zhvillimor”, thotë Shala.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se ky fond është antikushtetues, derisa paralajmëron se do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese.

Deputetja nga kjo parti, Valentina Bunjaku deklaron se mënyra si është prezantuar drafti është e papranueshme për këtë parti.

“Sa i përket Fondit Sovran, këta duan që ky Fond Sovran të gjithë agjencionet t’i fut në një ombrelle tek ky fond dhe një individ të menaxhojë me gjithë agjencionet tona në Republikën e Kosovës. Mendoj se vetëm Rusia e ka Fondin Sovran dhe shumë shtete tjera, të cilat nuk përkojnë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe për ne mënyra se si kanë propozuar draftin për këtë fond sovran është e papranueshme dhe është shkelje kushtetuese. Ne si LDK do të japim kontributin tonë dhe do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse Gjykata Kushtetuese për këtë qeveri është e parëndësishme”, thotë Bunjaku.

Ndërkaq, Emanuel Bajra, hartues dhe anëtar i Fondit Sovran, duke folur për rëndësinë e këtij Fondi, thotë se ky Fond do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të vendit, duke i dhënë një peizazh tjetër Kosovës në aspektin ekonomik.

“Sfida e parë dhe shqetësim për ne si ekip ekspertësh është që a do të kalojë ligji, presim që të kalojë, sepse nuk jemi te interesuar për politikë, politika duhet ta bëjë detyrën e vet, që ta kalojë ligjin, në mënyrë që të na hapen rrugët që ta themelojmë fondin deri në fund. Fondi Sovran si intitet financiar, si institucion financiar qe do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik në vend do ta ndryshojë gjithë peizazhin ekonomik të Kosovës, por jo afatshkurtër. Pra, është më tepër plan afatmesëm dhe afatgjatë, sesa afatshkurtër. Do t’i nevojiten rreth tre vjet Fondit që të rikuperohet, që të themelohet me të gjitha shtyllat e nevojshme, por pas dy apo tre viteve, një Fond Sovran, autonom nga qeveria që i përgjigjet Parlamentit do të jetë vlerë e shtuar për ekonominë, do ta ndihmojë tejmase ekonominë. Fondi do t’i materializojë asetet e vendit në dobi të krijimit të korporatave, ndërmarrjeve të reja, në mënyrë që ta ndihmojnë edhe punësimin, por kjo asimetrikisht ndikon në rritjen e kualitetit të jetesës, të pagave e produktivitetit në ekonomi”, thotë Bajra.

Bajra potencon për KosovaPress se Qeveria nuk ka investuar asnjë cent në shpenzimet e tyre në lidhje me vizitat që kanë zhvilluar për punimin e këtij Fondi.

“Nuk mendoj kurrsesi se është kundër Kushtetues, për shkak se nëse është kështu që një aset që nuk komercializohet dhe që nuk futet në funksion të interesit ekonomik të vendit, atëherë nëse është antikushtetuese që qeveria ta merr në përgjegjësi, për mua është çmenduri. Nuk ka asgjë antikushtetuese brenda fondit, kemi punuar me ditë të tëra, asnjëri nga ne si grup ekspertësh, si ligjorët e si ne nuk jemi paguar, përkundrazi me resurset tona kemi vet-investuar vetën me vizitat në Kosovë, me këshillimet që kemi marrë jashtë e brenda Kosovës, gjitha janë bërë me shpenzime të vet anëtarëve të grupit. Qeveria nuk ka investuar asnjë cent, kemi punuar në përpikëri dhe brenda rregullave të caktuara në bazë të neneve, lidhjeve që i ka shteti i Kosovës”, thotë ai.

Kujtojmë që, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur Fondin Sovran, zhvillimor për ekonominë e vendit dhe ka paralajmëruar se Kosova është afër themelimit të këtij fondi.

Ndërmarrjet publike dhe 24 mijë asete do barten nga qeveria në Fondin Sovran

Të ngjashme