Lajme
Opozita kërkon shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, LVV kundër
Demokracia
14:00 | 23 Maj 2022

Share:

Lidhja Demokratike e Kosovës pret që Komisioni për Ekonomi të iniciojë shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, derisa nga ky institucion Partia Demokratike e Kosovës por kërkon që të mos krijojë paqartësi tek KESCO për tarifimin e energjisë elektrike.

Kështu bënë të ditur pas mbledhjes së kryesisë shefat e të dy grupeve parlamentare të opozitës, derisa u vendos që këtë të enjte të mbahet seancë me pikat e papërfunduara.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi u shpreh se kriza energjetike është jashtëzakonisht e thellë dhe pritet që të thellohet.

“LDK ka deklaruar se do të shqyrtojë mundësitë e marrjes së nismave për shkarkimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për shkak të mungesës së aftësisë për menaxhimin e krizës së energjisë elektrike… Është një situatë jashtëzakonisht e rëndë dhe presim që (bordi i) ZRrE të shkarkohet për arsye se është e paaftë, ka shkelur mirëbesimin ose detyrimet që i thotë ligji dhe për arsye se ka qitur në lajthitje Kuvendin dhe institucionet e tjera dhe për arsye se këta vendimet që kanë marrë janë vendime të paligjshme dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, për të gjitha këto arsye ne presim që sot Komisioni përkatës (i Ekonomisë) të rekomandojë shkarkimin, nëse nuk e rekomandon do të shohim rrugë të tjera se si do të veprojmë”, theksoi ai.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri kërkoi nga ZRrE që të respektojë vendimin e Gjykatës së Apelit për pezullim të tarifave të energjisë elektrike.

Ai madje kërkoi që Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike të jetë e qartë dhe të mos krijojë paqartësi për tarifim të rrymës.

“Ajo që është shqetësues është se tashmë lexojmë lajme që KESCO ka paqartësi nga ZRrE për tarifimin e energjisë elektrike të Kosovës pas vendimit të Gjykatës së Apelit në vendin tonë, mendoj se këtu ZRrE duhet ta ndal çfarëdo tendence që duket se e ka qartë që të mos respektohet ky vendim. Ata e kanë thënë edhe vetë që do ta respektojnë vendimin e Gjykatës së Apelit për pezullimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike, mirëpo siç duhet nuk ka dhënë qartësi dhe instruksione të duhura tek KESCO për tarifikim e qytetarëve të Kosovës. Vendimi i Gjykatës së Apelit është shumë i qartë, pra gjykata e Apelit e ka pezulluar tarifimin e shtrenjtë të energjisë elektrike në vendin tonë ky është një vendim i cili duhet të respektohet prandaj, ZRrE duhet ta bëjë të qartë në vendimin e saj dhe instruksionet e saj që jep në këtë rast KESCO e cila i faturon qytetarët që tarifimi të bëhet me tarifa të ulëta siç ka qenë para ngritjes së çmimit të energjisë elektrike para muajit shkurt”, theksoi Tahiri.

Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja u shpreh se opozita me veprimet e saj të pamatura po e shpie vendin drejt një kolapsi energjetike.

“Baza e kërkesës është e palogjikshme, opozita ka pasur një kërkesë për shkarkimin e bordit të ZRrE-së është në vazhdimin e traditës së tyre që çdo bord që nuk iu shkon për shtati kërkojnë ta shkarkojnë. Besoj që ajo që unë vërej është një përpjekje e opozitës që të ketë një koordinim të plotë, të pamundësohet ose të vendoset Kosova në një kolaps energjetik dhe me veprimet e tyre të pamatura unë po mendoj që janë duke shpie në atë vendim. Opozita duhet ta ketë parasysh që këto përpjekje për ta bllokuar zgjidhjen për një problem nga vendimmarrja e tyre e së kaluarës po besoj që janë të pamatura, por sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare Kosova njihet për menaxhimin e mirë të krizës energjetike”, theksoi Muja.

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat e reja të shtrenjta të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor.

Si pasojë e gjendjes së krijuar, bordi i ZRRE-së me datë 20 maj, në seancën e jashtëzakonshme, mori vendim në të cilin shtyhet ekzekutimi i vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike.Tarifat e reja të energjisë filluan së aplikuari më 9 shkurt të këtij viti.

Të ngjashme