Opozita e ka shpallur të dështuar vitin 2023. Përfaqësuesit e partive opozitare kanë bërë me dije se gjatë vitit që po e lëmë pas Qeveria Kurti ka varfëruar qytetarët e Kosovës, duke renduar mirëqenien e tyre. Gjithashtu, ata janë zotuar se vitin e ardhshëm do të bëjnë gjithçka për të ia ndërprerë mandatin Qeverisë Kurti.
Shefi i Grupit Parlament të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se gjatë këtij viti qeveria ka dëmtuar edhe funksionalitetin e shtetit përmes vendimeve të dëmshme dhe anti-kushtetuese.
Pavarësisht veprime të pushteti, ai është zotuar se beteja e opozitës nuk do të ndalet.
“Por nuk e ndal dot angazhimin tonë për ta mbrojtur rendin kushtetues, si grupi më i suksesshëm në betejat kushtetuese dhe profesionale në Gjykatën Kushtetuese; Nuk e ndal dot angazhimin tonë për të nxjerrë në pah aferat korruptive si qindra kontrata njëburimore me vlera milionëshe, apo abuzimet me taksat e qytetarëve tanë”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se viti i ardhshëm do të jetë edhe më i suksesshëm për opozitën.
“E as nuk e ndal dot alternativën tonë të së ardhmes e cila, e bën dallimin e madh mes kësaj qeverie që paguan Gani Jakupa për një muaj, sa për 12 muaj paguhet një policë i lartë i Kosovës; Viti i ardhshëm do të jetë vit edhe me i suksesshëm për opozitën sepse kësaj qeverie do t’ia shkurtojmë mandatin e do t’ia ndalim hajninë”, ka shkruar ai.
Edhe shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur për dëmet e Qeverisë Kurti gjatë këtij viti.
Sipas tij, viti 2023 do të mbahet mend si vit i varfërimit të qytetarëve të Kosovës.
“2023 vit i humbur për Kosovën! Në konferencën e fundvitit duke e rikapitulluar vitin 2023, theksova rolin e AAK-së në këtë vit, por njëkohësisht edhe dështimet të cilat ndodhën gjatë këtij viti. Viti 2023 do të mbahet në mend si vit i cili e varfëroi secilin qytetar të Kosovës, pa dallim. Vit i cili e ngriti pasigurinë në vend, që nga aspekti social e deri tek ai i sigurisë”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në “Facebook”.
Më tej, ai ka thënë se gjatë këtij ministrat e Qeverisë Kurti kanë eksperimentuar.
“Ishte vit i eksperimentimit të shumicës së ministrave dhe dikastereve që udhëheqin, duke e e kthyer Kosovën ndër vendet e para në listë për rezultatin më të dobët në PISA, në vendin me pagat më të ulëta në sektorin publik në rajon, në mos shpenzimin respektivisht investimin e jo më shumë se një miliardë euro në projekte kapitale dhe me dështim të plotë në politiken e Jashtme dhe subjektivitetin e Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se në vitin 2024 kjo qeveri duhet të largohet, shkruan Nacionale.
“2023 do të mbahet mend si vit kur qeveria është munduar me të gjithë mekanizmat e saj të kapë institucionet e pavarura, në veçanti gjyqësorin. Zhvillimi më i mirë dhe më i mrekullueshëm ne 2024 do të ishte largimi i kësaj qeverie dhe ndalja e dëmit që i bëhet Kosovës”, ka shkruar Tahiri.