Lajme
Operacioni në Hoqë: Dogana has në rezistencë, një serb kërcënon se do të hidhet nga çatia nëse i konfiskohet alkooli
Demokracia
14:10 | 08 Dhjetor 2022

Share:

Në Hoçë të Madhe është raportuar për tensionim të situatës.

Dogana e Kosovës ka paralajmëruar një aksion për konfiskimin e alkoolit, ndërsa banorët serbë në këtë vend kanë kundërshtuar këtë aksion.

Kundërshtim pati edhe nga familja Petroviq.

Numër i madh i banorëve serbë kanë dalë në rrugët e këtij fshati, ndërsa pjesëtari i familjes Srdan Petroviq në shenjë proteste ka vendosur një shtizë flamuri ndërsa ka kërcënuar se do të hidhet nga çatia e shtëpisë.

Nga Dogana e Kosovës kanë thënë për Insajderin se gjatë procesit të tërheqjes kanë hasur në rezistencë.

“Procesi i tërheqjes është duke vazhduar kemi pasur rezistecë, por, nuk ka ndikuar në procesin e tërheqjes”, ka thënë Adriatik Stavileci, Zëdhënës i Doganës.

Në këtë rast është kërkuar edhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës.

Kjo është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka deklaruar se është duke vazhduar ky aksion.

“Po është duke vazhdu ai aksion, Dogana ka kërkuar asistim për tërheqjen e disa litrave alkool, edhe ai njoftimi i më hershëm, po vazhdon tërheqjen e materialit. Policia po vazhdon me i asistu doganierët. Vazhdimisht qytetarët mblidhen, por për detaje të tjera do të dalim më komunikatë” ,tha Elezaj.

Ndryshe Dogana dje ka sekuestruar 42 mijë litra pije alkooli, pasi është realizuar një kontroll rutinore tek një dyqan ku shiten pije alkoolike në këtë fshat.

“Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkooli në sasi prej rreth 42 mijë litra. Personi në fjalë ka vepruar krejtësisht në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit”, ut ha në njoftim.

Po ashtu u theksua se ky aktivitet afarist është i paregjistruar dhe nuk i nënshtrohet as kontrolleve sanitare higjienike, e sipas tyre përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit.

 

Të ngjashme