Auto&Tech
OpenAI blenë kompaninë e njeriut që e bëri të famshëm dizajnin e iPhone
Demokracia
09:52 | 25 Maj 2025

Share:

Me sa duket, OpenAI ka vendosur të eksperimentojë dhe të hyjë në fushën e harduerëve.

OpenAI po blen startup-in “io”, të themeluar nga Jony Ive, për 6.5 miliardë dollarë, shkruan The New York Times.

Kompania e konfirmoi lajmin në një postim në faqen e saj të internetit, me një foto shoqëruese të dy biznesmenëve.

Pretendohet se fotografia është reale dhe jo e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, transmeton Telegrafi.

Si pjesë e marrëveshjes, Ive dhe studioja e tij e dizajnit LoveForm do të vazhdojnë të operojnë në mënyrë të pavarur nga OpenAI.

Megjithatë, Scott Cannon, Evans Hankey dhe Tang Tan, të cilët bashkëthemeluan “io” me Ivo-n, po bëhen punonjës të OpenAI, së bashku me rreth 50 inxhinierë, dizajnerë dhe studiues të tjerë.

Në bashkëpunim me ekipet ekzistuese të OpenAI, ata do të punojnë në harduer që u lejon njerëzve të bashkëveprojnë me teknologjitë OpenAI.

OpenAI nuk zbuloi nëse blerja do të paguhet me para në dorë apo me aksione.

Sipas Wall Street Journal, ky është një transaksion i plotë aksionesh, duke pasur parasysh që OpenAI ende nuk po nxjerr fitim nga operacionet e saj.

Kur Altman u pyet se si do ta financonte këtë blerje, ai i tha The Times se media ishte më e shqetësuar për financimin dhe të ardhurat e OpenAI sesa për vetë kompaninë.

“Do të jemi mirë. Faleminderit për shqetësimin tuaj”, theksoi Altman.

Marrëveshja është ende në pritje të miratimit nga autoritetet rregullatore.

Në një intervistë me The Times, CEO i OpenAI, Sam Altman, dhe Jony Ive, i njohur më së miri për dizajnin e tij të iPhone, thanë se qëllimi i partneritetit është të krijojnë produkte të jashtëzakonshme që e ngrenë lart njerëzimin.

“Ekipi i io, i përqendruar në zhvillimin e produkteve që frymëzojnë, fuqizojnë dhe mundësojnë, tani do të bashkohet me OpenAI për të punuar më ngushtë me ekipet e kërkimit, inxhinierisë dhe prodhimit në San Francisko”, tha OpenAI në faqen e saj të internetit në lidhje me blerjen.

“Ndërsa io integrohet me OpenAI, Johnny dhe LoveForm do të marrin role të rëndësishme në dizajn dhe krijimtari brenda OpenAI dhe io”, thotë Altman.

Sipas raportimeve, OpenAI tashmë kishte 23% të aksioneve në io bazuar në një marrëveshje që dy kompanitë arritën në fund të vitit 2024. Tani OpenAI po paguan rreth pesë miliardë dollarë për të marrë kontrollin e plotë të startup-it.

Nëse kjo do të thotë që pajisjet fizike OpenAI së shpejti do të na presin dhe në çfarë forme do të jenë të disponueshme, mbetet e paqartë për momentin.

Përshkrimi i videos në YouTube të treguar më poshtë thotë: “Po ndërtojmë një familje produktesh të inteligjencës artificiale për të gjithë”.

Të ngjashme