Ngjarjet ekstreme të motit, klimës dhe përmbytjet e ujit, kanë shkaktuar pothuajse 12 mijë fatkeqësi nga viti 1970 deri në vitin 2021 në mbarë botën, me mbi dy milionë viktima.
Sipas të dhënave, 90% e tyre ka ndodhur në vendet në zhvillim dhe me një humbje ekonomike prej afërsisht 4.3 trilionë dollarë.
Këtë e bëri të ditur Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), e cila i përket OKB-së, duke saktësuar se dëmet ekonomike janë rritur në mënyrë dramatike, por përmirësimi i paralajmërimeve të hershme dhe menaxhimi i koordinuar i fatkeqësive, kanë ulur shkallën e humbjeve të jetëve në njerëz në gjysmë shekulli e fundit.
Qëllimi i OKB-së është të sigurojë një paralajmërim të hershëm për të gjithë deri në fund të vitit 2027.
WMO ka përditësuar në vitin 2021, “Shkallën e Vdekshmërisë dhe Humbjeve Ekonomike nga kushtet ekstreme të motit, klimës dhe ujit”, i cili më parë u zhvillua nga 1970 deri në 2019, duke paraqitur dokumentin në hapjen e Kongresit Botëror Meteorologjik katërvjeçar, të cilin duhet ta miratojë për përshpejtimin dhe forcimin e aksionit për garantimin e shërbimeve të paralajmërimit të hershëm për të gjithë.
Në përditësimin “Atlante”-s, vdekjet e regjistruara për 2020-ën dhe 2021-in, janë 22,608 në total dhe tregojnë “një rënie të mëtejshme të vdekshmërisë në krahasim me mesataren vjetore të dekadës së mëparshme. Humbjet ekonomike janë rritur dhe shumica i atribuohet kategorisë së stuhive”, thuhet në WMO.
Paralajmërimi i hershëm, i shpjegojnë nga Organizatës Botërore Meteorologjike, është “një masë e provuar dhe efektive e përshtatjes klimatike, e cila shpëton jetë dhe siguron të paktën dhjetëfish kthim nga investimi”.
Megjithatë, vetëm gjysma e vendeve e kanë atë, ndërkohë që ka mbulim shumë të ulët në shtetet e vogla ishullore në zhvillim, veçanërisht në zonën e Karaibeve dhe në të ashtuquajturat vende më pak të zhvilluara (kryesisht në Afrikë dhe Azi).
Kongresi është organi më i lartë vendimmarrës i WMO-së dhe mbledh së bashku përfaqësuesit më të lartë të agjencive të Kombeve të Bashkuara, bankave të zhvillimit, qeverive dhe shërbimeve kombëtare meteorologjike dhe hidrologjike, përgjegjëse për lëshimin e paralajmërimit të hershëm, i cili është ndër prioritetet strategjike që organi synon të miratojë./Si