Njerëzimi po shkon në mënyrë të rrezikshme pranë pikave të pakthyeshme të kthesës që do të dëmtonin në mënyrë drastike aftësinë për të përballuar fatkeqësitë.
Kështu kanë paralajmëruar studiuesit e OKB-së.
Ata kanë përfshirë mes tyre tërheqjen e sigurimit të shtëpive nga zonat e goditura nga përmbytjet dhe tharjen e ujërave nëntokësore që është jetike për sigurimin e furnizimeve ushqimore.
Këto “pika kthese të rrezikut” përfshijnë gjithashtu humbjen e akullnajave malore që janë thelbësore për furnizimin me ujë në shumë pjesë të botës dhe grumbullimin e mbeturinave hapësinore që rrëzojnë satelitët që japin paralajmërime të hershme për motin ekstrem.
Raporti ka përcaktuar një sërë pikash të rrezikut që po afrohen, por duke pasur largpamësi mbetet e mundur të ndërmerren veprime për t’i parandaluar.
Pikat e kthesës shkaktohen nga rritje të vogla të forcës së tyre lëvizëse, por çojnë me shpejtësi në ndikime të mëdha.
Ato janë të ndryshme nga pikat e kthesës të klimës në të cilat bota është në prag, duke përfshirë shembjen e pyjeve tropikale të Amazonës dhe mbylljen e një rryme kyçe të Oqeanit Atlantik.
Këto janë ndryshime në shkallë të gjerë të nxitura nga ngrohja globale e shkaktuar nga njeriu, ndërsa pikat e kthesës së rrezikut janë më drejtpërdrejt të lidhura me jetën e njerëzve nëpërmjet sistemeve komplekse sociale dhe ekologjike.
Raporti shqyrton gjashtë shembuj të pikave të rrezikut, duke përfshirë pikën kur sigurimi i ndërtesës bëhet i padisponueshëm ose i papërballueshëm.
Çka i lë njerëzit pa një rrjet sigurie ekonomike kur godasin fatkeqësitë, duke shtuar vështirësitë e tyre, veçanërisht për të varfrit dhe të pambrojturit.
Një tjetër pikë kthese e rrezikut e shqyrtuar në raport është kur akuiferët e ujërave nëntokësore mbishfrytëzohen deri në pikën që puset thahen.
Akuiferët aktualisht parandalojnë gjysmën e humbjeve në prodhimin e ushqimit të shkaktuara nga thatësirat, të cilat pritet të bëhen më të shpeshta për shkak të ngrohjes globale, thuhet në raport.
Më shumë se gjysma e akuiferëve kryesorë në botë tashmë po shterohen më shpejt se sa mund të rimbushen natyrshëm, thuhet në raport.
Nëse ato papritmas thahen, të gjitha sistemet e prodhimit të ushqimit janë në rrezik të dështimit.