Lajme
OKB e kundërshtoi, Lituania rrëzon monumentin sovjetik
Demokracia
17:56 | 06 Dhjetor 2022

Share:

Autoritetet lituaneze filluan çmontimin e një monumenti të madh sovjetik në kryeqytetin Vilnius të martën, pavarësisht paralajmërimeve të OKB-së që kërkonin shtyrjen e operacionit.

Monumenti mbresëlënës i bërë me granit gri, ndodhet në varrezat Andakalnis dhe përbëhet nga gjashtë statuja të ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe .

Pasi mbeti nën pushtimin sovjetik për 50 vjet, Lituania shpalli pavarësinë e saj në 1991. Me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, vendi vendosi të shpëtojë nga trashëgimia e BRSS.

Në Andakalnis, punëtorët prej disa ditësh po shtrojnë rrugën në mënyrë që vinçat të kalojnë dhe t’i afrohen monumentit. Sot makinat filluan të presin pjesë të ndryshme të skulpturave. Ndwrkohw sipas kompanisë që ka marrë përsipër projektin, puna pritet të përfundojë në fillim të javës së ardhshme.

“Është një ditë gëzimi, një moment i lumtur”, u tha gazetarëve kryebashkiaku Remigius Simasius pasi vizitoi vendin.

Në shtator OKB-ja i bëri thirrje Lituanisë që të mos çmontojë monumentet sovjetike derisa të zgjidhet një mosmarrëveshje midis qeverisë dhe pesë shtetasve lituanez. Këta të fundit i janë drejtuar Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, me argumentin se vendimi për prishjen e këtij monumenti “shkel të drejtat e minoriteteve dhe të drejtën e jetës private dhe familjare”./gexpress

Lituania këmbëngul se monumentet e vendosura në varreza që përmbajnë mbetje njerëzore do të mbrohen.

“Ne e bëjmë me respekt, ne nuk i shkatërrojmë varret”, tha kryebashkiaku i Vilnius, duke minimizuar ndërhyrjen e OKB-së në këtë rast.

 

Të ngjashme