Sport
Ofertat për Haxhon nuk mungojnë, portieri i jep fillimisht përparësi Prishtinës për edicionin e ri
Demokracia
20:35 | 11 Maj 2022

Share:

FC Prishtina, klubi më i trofeshëm në Kosovë po përballet me një nga edicionet më të vështira. Klubi “bardhekaltër” në 100 vjetorin e themelimit të klubit e sheh veten në një pozitë jo edhe të mira, sikur në renditjen tabelore, ashtu edhe në problemet brenda klubit.

Për shkak të problemeve brenda klubit dhe raportimeve të shumta për mos kryerjen e pagave te lojtarët, Prishtina mund të përballet me një “eksod” të madh të futbollistëve në merkaton e verës.

Por, ka edhe prej tyre që duan t’i japin përparësi Prishtinës në ofertat që kanë për afatin kalimtar veror.

I tillë është edhe rasti i portierit me përvojë nga Shqipëria, Eglant Haxho. “Gardianit” shqiptar kontrata me “bardhekaltrit” i skadon këtë verë.

Ofertat për të nuk mungojnë, megjithatë ai në një bisedë me Demokracia.com thotë se fillimisht do t’i jap përparësi ofertës së Prishtinës.

Kontrata me Prishtinën më skadon në qershor të këtij viti. Normalisht jam i fokusuar në mbylljen e këtij sezoni që ka qenë jo pak i vështirë për ne, duke ditur dhe problematikat që janë shfaqur. Unë jam tash e tre sezone në Prishtinë dhe është një cikël i imi i suksesshëm në atë çfarë kërkon një sportist, fitimin e trofeve”, ka thënë fillimisht Haxho për Demokracia.com.

“Si çdo lojtar që është në fund të kontratës i vijnë oferta nga të tjera klube. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me mua, por do theksoja që e para është Prishtina qe do negociojë, por të jemi të duruar deri në fund dhe pastaj mendoj se do zbardhim çdo gjë”, shtoi Haxho për portalin.

33-vjeçari pohon se ofertat për të vijnë edhe nga klube të tjera në Kosovë.

Si një portier me eksperiencë relativisht të gjatë 15 vjeçare, ofertat normalisht nuk më kanë munguar si në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë këtyre territoreve”, thekson për fund portieri Eglant Haxho.

Paraqitjet e Haxhos me Prishtinën ishin mjaft të mira këtë edicon. Ajo që vlen të përmendet është se Haxho në dy ndeshje radhazi në stinorin pranveror priti dy penallti në dy përballjet rresht për Prishtinën.

Haxho iu bashkua Prishtinës në korrik të vitit 2019 kur u transferuar nga skuadra tjetër kosovare, Llapi.

Prishtina pas 34 ndeshjeve është në vendin e pestë me 48 pikë, katër më shumë se zona e barazhit (Drenica)./Demokracia.com/

Të ngjashme