Në prag të ndeshjes më të rëndësishme të sezonit, finales së Kupës së Kosovës, Drita ka vendosur të “blindojë” me kontratë të re kapitenin, Ardian Limanin. Mbrojtësi gjilanas që është pjesë e klubit “bardhekaltër” nga mosha e re, do të jetë pjesë e Dritës deri në vitin 2025. Ardian Limani në një intervistë për Demokracia.com foli për ofertat që kishte, kontratën e re dhe sezonin 2021/22 me Dritën dhe finalen e Kupës.
Autor: Amir RAMA
Klubi nga Gjilani paraprakisht rinovoi kontratën edhe me trajnerin, Ardian Nuhiun i cili gjithashtu do të mbetet në stolin e Dritës edhe për tri vite.
Me këto dy nënshkrimet e para, Drita do të hyjë me më pak presion në finalen e 26 majit kundër Llapit në Kupën e Kosovës, trofe ky që i mungon tash e dy dekada.
Limani fillimisht u ndal të flasë për ofertat që kishte refuzuar dhe arsyen pse rinovoi kontratën me tri herë kampionen e Kosovës.
“Kam filluar bisedimet me Dritën dhe shpejt i kam mbyllur me marrëveshje. Kam pasur disa oferta, mirëpo une kam qenë i vendosur për t’i mbyllur bisedimet me Dritën pasi që e ndjejë obligim t’i prijë projektit të klubit për të sjellur trofe e suksese në klub”, tha Limani të martën për Demokracia.com.
28-vjeçari pohon se vetëm trofeu i Kupës së Kosovës e shpall sezonin të suksesshëm për Dritën, ngase arritja për dalje në garat evropiane nuk vije fare në diskutim për klubin.
“Të jem i sinqertë në çdo sezon synojmë trofe dhe nëse nuk e fitojmë Kupën nuk e konsiderojmë të suksesshem daljen në gara evropiane pasi që ky tashmë është një synim i padiskutueshëm. Drita lufton vetëm për trofe”, theksoi tutje kapiteni.
Limani vlerësoi Llapin kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në finale, mirëpo ai me bashkëlojtarë do të udhëtojnë me optimizëm drejt Prishtinës se në rrugën e kthimit drejt Gjilanit do ta kenë me vete edhe trofeun e çmuar.
“Mendjen e kemi te finalja. Kemi kohë që kemi filluar ta studiojmë Llapin me video analiza. Llapi ka skuadër shumë të fortë, e sidomos në fazën ofanzive. Na pret ndeshje e vështirë, por shkojmë me besim të plotë për të fituar Kupën”, vazhdon Limani për Demokracia.com.
Kapiteni i Dritës për fund ka edhe një mesazh për tifogrupin “Intelektualët” në lidhje me mbrëmjen e 26 majit në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Së pari ne presim nga “Intelektualët” që të vijnë në numër sa më të madh dhe të na japin përkrahjen që veç ata dijnë, pastaj ne të luftojmë për ta që t’ua kthejmë duke i dhuruar trofeun e Kupës”, tha për fund kapiteni Ardian Limani.
Përveç Kupës, Drita është në garë edhe për pozitën e dytë në tabelë këtë edicion. Drita luan ndeshjen e radhës me Ulpianën në shtëpi, ndërsa ka 61 pikë në tabelë, një më pak se Gjilani që luan në udhëtim te Ballkani që siguroi titullin e parë në histori disa javë më parë./Demokracia.com/