Lajme
OEK: Devolli ka zgjedhur të qëndrojë e të kontribuoj për Republikën e Kosovës
Demokracia
13:41 | 21 Prill 2025

Share:

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar pas gjuhës linçuese nga Lëvizja Vetëvendosje ndaj Korporatës Devolli.

Me këtë rast, OEK-u shpreh shqetësimin e saj për sulmet e vazhdueshme të eksponentëve të LVV-së dhe të qeverisë së deritanishme.

“Rasti më i ri, e kërkojmë që të jetë i fundit, është ai i sulmit kundër afaristit Shkëlqim Devolli, i realizuar në mënyrë të orkestruar nga zyrtarë të koalicionit që ka qeverisur deri më tani dhe nga militantët e tyre”, thuhet në reagimin e Odës Ekonomike transmeton Klankosova.tv.

Tutje në reagim thuhet se Kompanitë Devolli, janë ndër kompanitë më të mëdha e më të suksesshme në Kosovë, që kanë kontribuar në përmirësimin e jetesës së mijëra punëtorëve dhe familjeve kosovare, por edhe kanë kontribuar për arkën e shtetit, duke qenë ndër tatimpaguesit më të mëdhenj, me qindra miliona euro të paguara.

“Oda Ekonomike e Kosovës, duke qenë udhëheqëse e Odave të Ballkanit Perëndimor (WB6), është në dijeni të kërkesave të vazhdueshme të shumë shteteve të rajonit që kompanitë Devolli të zhvendosin prodhimin dhe aktivitetin e tyre në shtetet e tyre. Përkundër ofertave joshëse, prapë se prapë Devolli ka zgjedhur gjithmonë të qëndrojë dhe kontribuojë për Republikën e Kosovës. Bravo Shkëlqim, bravo të gjithëve që mendojnë, punojnë dhe kontribuojnë si ai. Një çerek shekulli nga përfundimi i luftës dhe çlirimit të Kosovës, dhe më shumë se një dekadë pas themelimit të shtetit të Kosovës, sot patriotizmi më i madh është zhvillimi ekonomik i vendit dhe forcimi i ekonomisë së Kosovës. Një Kosovë e fuqishme ekonomikisht mund të ruajë sovranitetin dhe integritetin e saj”, thuhet tutje në reagim transmeton Klankosova.tv.

“Prandaj, biznesi si themel i zhvillimit ekonomik, duhet të trajtohet si një nga shtyllat kryesore të fuqizimit të shtetit, si aleat dhe partner, e jo si pengesë për shtetin. Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon që të ndalen menjëherë sulmet ndaj çdo afaristi apo biznesi në Kosovë dhe që të gjitha institucionet e shtetit, pa marrë parasysh ideologjinë që përfaqësojnë, të bashkëpunojnë me biznesin për të mirën e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”.

Të ngjashme