Lajme
OEK bën thirrje për pezullim të shtrenjtimit të rrymës për së paku një vit
Demokracia
12:32 | 06 Maj 2025

Share:

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka kërkuar nga institucionet e vendit që të shtyjnë të paktën për një vit hyrjen në fuqi të vendimit për dalje në tregun e lirë të energjisë elektrike për bizneset.

Drejtuesi i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, tha se bizneset kanë filluar të marrin ofertat e para dhe gjëja e parë që është vërejtur është çmimi shumë më i lartë se sa kanë paguar deri më tani.

“Ofertat e para që kanë ardhur tek të gjitha bizneset, tek të gjithë sektorët janë mbi 200 për qind më të shtrenjta sesa çmimi i energjisë elektrike që kanë marrë deri më sot”, tha Rafuna.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka marrë vendim që nga data 1 qershor të gjitha kompanitë e mëdha, konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.

Sipas ZRRE-së, numri i tyre është mbi 1.000.

Aktualisht, këto biznese furnizohen nga Operatori për Furnizim me Energji (KESCO), si furnizuesi kryesor i licencuar për energji me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.

Ndërsa nga 1 qershori, kompanitë e mëdha duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre, me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

Rafuna tha se ky vendim duhet të shtyhet për të paktën një vit pasi sipas tij, kjo do të shuante shumë biznese.

“Kemi kërkuar që të shtyhet dalja në tregun e lirë dhe rritja prej 16.1 për qind të suspendohet për arsye se ka mundësi dhe ka mekanizma që qeveria ta subvencionojë ose edhe ta gjejë mënyra tjera se si ta ndihmojë biznesin se si ta kalojë sa më lehtë këtë periudhë kohore të mosdaljes në tregun e lirë”, deklaroi Rafuna.

Aktualisht, në tregun e lirë të Kosovës janë të licencuara 18 kompani që ofrojnë furnizim me energji elektrike, shumica prej të cilave janë nga Kosova, por ka edhe kompani nga rajoni.

Nga 1 maji kanë hyrë në fuqi tarifat e reja, me një rritje prej 16.1 për qind.

Këto tarifa do të vlejnë edhe për bizneset që kanë nën 50 punëtor apo nën 10 milionë euro qarkullim.

Përmes një konference për media edhe Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Ferat Shala e quajti rritjen e çmimit selektive dhe tha se dëmton qytetarët.

“Sapo të konstituohet Kuvendi i ri, do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat parlamentarë për të shqyrtuar çdo veprim dhe mosveprim në menaxhimin e sektorit energjetik”, theksoi Shala./rel

Të ngjashme