Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se janë të shqetësuar me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Rafuna për T7 ka thënë se kjo do të ndikojë që qytetarët të konsumojnë më pak dhe të ketë qarkullim më pak, për shkak të rritjes së kostos së jetesës si rezultat i shtrenjtimit të rrymës.
“Jemi të shqetësuar si biznese edhe për qytetarët. Në momentin që qytetarët do të kenë fatura më të shtrenjta, do të ketë më pak qarkullim më pak konsum”.
“Jemi të shqetësuar edhe me daljen e bizneseve në tregun e hapur. Prapë shqetësimi ynë është që s’është bërë pas një analize të mirë dhe s’është gjetë momenti i duhur”, ka thënë Rafuna.
“Është një shpenzim ekstra për biznesin dhe ndikon në koston operative. Ndikon edhe në çmimin e produktit që e prodhojmë. Qytetari ngarkohet në mënyrë indirekte edhe në produktin që do ta blejë”, ka shtuar ai.
Sa i përket paralajmërimeve për shtrenjtimin e çmimit të bukës, Rafuna ka thënë se nuk bëhet nga dëshira, por se furrtarët janë të detyruar shkaku i ngritjes së çmimit të rrymës.
“Ata s’e bëjnë prej dëshirës. Janë të detyruar për shkak të ngritjes së çmimit të rrymës elektrike”, ka thënë ai.