Në një konferencë për media, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha sot se nuk pritet të lirohen masat anti-COVID pas 13 shtatorit. Ndaj këtij fjalimi ka reaguar Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, të cilët kanë kërkuar që të konsultohen me Vitin paraprakisht për marrjen e vendimeve në të kundërtën do të marrin masa kundërshtuese.
Demokracia.com ka kontaktuar kryetarin e Odës së Hotelierisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, i cili ka thënë se as ata si Odë nuk janë pro hapjes së klubeve apo ahengjeve por që do të duhej të kishte një alternativë ashtu si në vendet e botës dhe lirim të masave.
‘’Ne nuk jemi për ahengje e klube të natës, ne jemi për me marr masa ndaj atyre që i shkelin masat pra brenda me i lejua me hy qytetarët në bazë të manualit që kemi, me teste negative ose kartelën e vaksinimit. Pasi që në të gjitha shtetet e botës gjithçka po funksionon në mënyrë të rregullt me certifikatë vaksinimi edhe stadiumet po mbushen me njerëz’ edhe në Kosovë duhet të ketë lirim të masave’, u shpreh Sogojeva.
Sogojeva tha se nëse do të vazhdohen këto masa të jenë në fuqi edhe pas datës 13 shtator atëherë ata si Odë do të marrin masa kundërshtuese.
‘’Ne nuk pranojmë të merren vendimet pa u konsultua me neve përndryshe ne do t’i kundërshtojmë. Format e kundërshtimit janë të ndryshme, nuk mund të them asgjë njëherë por nuk përjashtohet edhe protesta, si mundësi’’, tha Sogojeva për Demokracia.com
Ai tha se këto masa është vështirë të zbatohen pasi që tanimë temperaturat janë të ulëta dhe puna në terasa do të bëhet pothuajse e pamundur.
‘’Nëse Qeveria merret me vaksinim, kjo do të ishte më e lehët për neve, shtatori është i ftoftë dhe terasat e lokaleve nuk do të mund të funksionojnë. Ne nuk jemi për lejimin e dasmave deri në vaksinim të një pjese të madhe të qytetarëve. Ne ishim ata që i mbështet masat e fundit anti-COVID mirëpo me numrin e lartë të të vaksinuarve duhet të filloj lirimi i ngadalë i masave dhe inspektorati të mbyll lokalet që shkelin këto masa’’, tha ai.
Sogojeva tutje tha se ka shumë ankesa nga bizneset për këtë mënyrë funksionimi.
‘’Shumica e bizneseve po thonë që më mirë për ta do të ishte t’i mbyllin lokalet tërësisht sesa të punonin në këtë mënyrë, pasi që as financiarisht nuk po ndihmohen nga shteti, atyre do të duhej tu lejohet të punojnë’’, përfundoi Sogojeva.
Kujtojmë se më 28 gusht në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është marrë vendimi për shtyrjen e procesit mësimor, mbylljen e klubeve të natës, ndalimin e ahengjeve familjare, mbylljen e gastronomisë nga ora 21:30, ora policore nga ora 22:00 deri në 05:00 dhe mbajtja e masave gjatë gjithë kohës deri më 13 shtator./Demokracia.com/