Lajme
Objekti afër Kryqit të Kuq në veri: Qendër për ndihmë apo strehë për terroristë të Mbrojtjes Civile
Demokracia
15:06 | 18 Maj 2025

Share:

Dikur e prezantuar si Qendra për Ekologji dhe Zhvillimin e Sportit, ky objekt ishte inauguruar me krenari nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një vizite të bujshme në vitin dymijë e tetëmbëdhjetë. Por prapa këtij emri të pafajshëm, dëshmitë tregojnë një realitet krejt tjetër – një pikë mbikëqyrjeje, një vendstrehim armësh dhe një bazë për aktivitete terroriste, shkruan KosovaPress.

Një nga njerëzit që Vuçiq e përqafoi dhe i vuri dorën në krah gjatë vizitës së tij në Ujman ishte Milun Milenkoviq, i njohur me nofkën “Lune”. Në atë kohë, ai u paraqit si mik i vjetër dhe aktivist lokal.

Sot, ai është njëri nga të akuzuarit kryesorë për sulmin terrorist të gjashtë dhjetorit dymijë e njëzetedy dhe sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, kishte fshehur armë në po atë objekt, duke monitoruar lëvizjet rreth Liqenit të Ujmanit.

Ky nuk është një rast i izoluar. Përkundrazi, lista e figurave që kanë operuar nga ai objekt është e gjatë dhe shqetësuese, raporton KosovaPress.

Ja një përmbledhje:

Stevan Paviçeviq – ish-udhëheqës i Mbrojtjes Civile që e kishte shoqëruar personalisht Vuçiq gjatë vizitës në këtë qendër. Ai është një nga figurat më të rëndësishme në ndërtimin e infrastrukturës së kësaj organizate në veri

Milun Milenkoviq (Lune) – mik i afërt i Vuçiq dhe një nga figurat qendrore të Mbrojtjes Civile, i cili gjatë qëndrimit të tij në objektin afër Kryqit të Kuq kishte vendosur një pikë vrojtimi për Liqenin e Ujmanit dhe mbante një sasi armësh për “luftë eventuale”. Ai është arrestuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për sulmin terrorist të gjashtë dhjetorit dymijë e njëzetedy.

Milos Milovanoviq (Grizli) – udhëheqës i degës së Mbrojtjes Civile në Zubin Potok. Kishte zëvendësuar Stevan Paviçeviq dhe udhëhiqte të gjitha aktivitetet nga kjo qendër. Ai ka marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjska.

Milorad Jevtiq (Micko), nofka “Micko”, anëtar i organizatës terroriste Mbrojtja Civile dhe pjesëmarrës në sulmin terrorist në Banjska të Zveçanit. Letërnjoftimi i tij është sekuestruar nga Policia e Kosovës dhe një automjet i përdorur gjatë sulmit terrorist, ka qenë i regjistruar në emër të tij. I njëjti shihet në fotografi i kamufluar si punonjës i “kryqit të kuq”.

Zharko Cvetkoviq, anëtar i organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” dhe pjesëmarrës në sulmin terrorist në Banjska të Zveçanit. Në muajin qershor dymijë e njëzetekatër, kur Policia e Kosovës kishte sekuestruar një sasi armatimi në veri të Mitrovicës, ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë së veriut, Veton Elshani, gjatë një konference për media ka potencuar si të dyshuar Zharko Cvetkoviq. I njëjti shihet në fotografi i kamufluar me uniformë të njësive të kërkim-shpëtimit.

Aleksandar Milosavleviq – anëtar i organizatës terroriste Mbrojtja Civile nga Zubin Potoku dhe pjesëmarrës në sulmin terrorist në Banjskë. I njëjti shihet në fotografi i kamufluar me uniformë të “kryqit të kuq”.

Të ngjashme