Lajme
NYT: Izraeli ia goditi Iranit pa e vërejtur sistemin anti-raketor S-300 për t’i treguar se ia anashkalon
Demokracia
14:55 | 20 Prill 2024

Share:

Dy zyrtarë perëndimorë kanë thënë se sulmi izraelit ishte i përllogaritur që t’i dërgohej një porosi Iranit se Izraeli mund t’i tejkalonte sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore pa u vërejtur dhe t’i paralizonte ato.

Një armë izraelite, e dislokuar gjatë sulmit hakmarrës kundër Iranit të premten, dëmtoi një sistem të mbrojtjes që është përgjegjës për zbulimin dhe shkatërrimin e rreziqeve ajrore afër qytetit qendror iranian, Nantaz, vend kritik për programin e fshehtë bërthamor të Iranit, sipas dy zyrtarëve perëndimorë dhe dy zyrtarëve iranianë, raporton gazeta “The New York Times”.

Sipas zyrtarëve perëndimorë, sulmi ishte i përllogaritur që t’i dërgonte një porosi Iranit se Izraeli mund t’i anashkalonte sistemet e mbrojtjes të Iranit pa u vërejtur dhe t’i paralizonte ato, duke shfrytëzuar vetëm një pjesë të fuqisë së zjarrit që Irani e përdori javën e kaluar, kur nisi qindra dronë e raketa drejt Izraelit. Sulmi iranian, i penguar nga Izraeli e aleatët, shkaktoi dëme minimale.

Dy zyrtarët iranianë thanë se arma izraelite kishte goditur një sistem anti-raketor S-300 në një bazë ushtarake në provincën Isfahan. Rrëfimi i tyre mbështetet edhe nga pamjet satelitore të analizuara nga gazeta “The New York Times”, ku shihet dëmi ndaj radarit të një sistemi S-300 në Bazën e Tetë Ajrore Shekari në Isfahan.

Ishte e paqartë se çfarë lloji i armës e ka goditur sistemin iranian të mbrojtjes ajrore. Tre zyrtarë perëndimorë dhe dy zyrtarë iranianë konfirmuan të premten se Izraeli kishte dislokuar dronë dhe të paktën një raketë u shkrep nga një aeroplan luftarak. Më parë, zyrtarët iranianë kishin thënë se sulmi ndaj bazës ushtarake ishte kryer nga dronë të vegjël, me gjasë të nisur nga brenda territorit iranianë.

Dy zyrtarë perëndimorë thanë se një raketë u hodh nga një aeroplan luftarak larg hapësirës ajrore izraelite ose iraniane dhe përfshinte teknologji që ia mundësonte shmangien e mbrojtjes iraniane me radarë. As raketa, as aeroplani që e hodhi atë nuk hynë në hapësirën ajrore të Jordanisë, thanë zyrtarët perëndimorë, gjest për ta mbajtur këtë shtet jashtë konfliktit, pasi kishte ofruar ndihmë për t’i rrëzuar armët iraniane javën e kaluar.

Dy zyrtarët iranianë thanë se ushtria e Iranit nuk kishte vërejtur ndonjë objekt që kishte hyrë në hapësirën ajrore iraniane të premten, përfshirë dronët, raketat dhe aeroplanët. Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA, raportoi se asnjë sulm me raketa nuk kishte ndodhur dhe se sistemi iranian i mbrojtës ajrore nuk ishte aktivizuar.

Dy zyrtarët perëndimorë thanë se Izraeli kishte hequr dorë nga një plan i mëhershëm për t’iu kundërpërgjigjur Iranit me një sulm të nivelit të lartë. Sipas tyre, plani u zëvendësua me një sulm që e kishte për qëllim dërgimin e një porosie të qetë por vendimtare me synimin për t’i dhënë fund ciklit të hakmarrjeve.

Sipas zyrtarëve perëndimorë, përdorimi i dronëve të nisur nga territori i Iranit dhe i një rakete që forcat iraniane nuk mund ta vërenin kishte për qëllim që Iranit t’i jepej një përshtypje se si do të dukej një sulm më i madh. Zyrtarët perëndimorë shtuan se sulmi ishte i përllogaritur që ta nxiste Iranin të mendojë dy herë para se të nisë një sulm tjetër të drejtpërdrejtë kundër Izraelit në të ardhmen./Nacionale

Të ngjashme