Lajme
Nxënësit në shtëpi, Kurti ua shfrytëzon shkollat për zgjedhjet e brendshme të LVV-së
Demokracia
15:32 | 25 Shtator 2022

Share:

Lëvizja Vetëvendosje sot është duke mbajtur zgjedhjet e brendshme, ku kandidati i vetëm për kryetar të këtij subjekti politik është Albin Kurti.

Këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje po i mban në hapësirat shkollore, mirëpo tash e katër javë, nxënësit nuk janë ulur në bankat shkollore, shkruan Demokracia.com.

Kjo për shkak të kokëfortësisë së Kurtit, i cili nuk po ofron zgjidhje për sindikalistët, të cilët po i kërkojnë 100 euro deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

Në të gjitha komunat e Kosovës, ku Lëvizja Vetëvendosje ka degë të saj janë duke u zhvilluar zgjedhjet e brendshme të këtij subjekti politik dhe kandidati i vetëm për kryetar është Albin Kurti.

Pasi që votoi për veten e tij, Kurti nuk e la pa folur për sindikalistët, përkatësisht për mësimdhënësit, të cilët janë në grevë që 4 javë.

Kurti u tregua mjaft i ashpër me udhëheqësit grevistë, duke i quajtur sindikalistë të PAN-it.

“Është për të ardhur keq sesi shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, pas gjitha takimeve që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar. Një kurs kundër qeverisë së progresit dhe shpresës prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve i është ndalur sahati me pesë qershor 2017 dhe tani dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër qeverisë. Është për të ardhur keq sa shumë po humbin prej inatit qeveritar. Nga data 15 shtator, pra tani e 10 ditë, ndodhet një diskutim publik për Ligjin mbi Paga. Të gjithë mund ta japin kontributin e tyre, duke diskutuar për Ligjin mbi Paga, duke komentuar atë në mënyrë që më në fund ta kemi të rregulluar edhe sektorin publik, me pagë të dinjitetshme por gjithashtu edhe me kompensim të barabartë për punë e kontribute të barabartë”, theksoi Kurti, raporton Demokracia.com.

Këto deklarata, Kurti i bëri para objektit të shkollës fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë, nxënësit e së cilës nuk e kanë filluar ende mësimin për shkak të grevës së mësimdhënësve.

Por, Kurti ka zgjedhur pikërisht shkollat që t’i mbajë zgjedhjet partiake, edhe pse nuk po ofron zgjidhje për mësimdhënësit për shkak të kokëfortësisë së tij.

Demokracia.com nga burime brenda Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka mësuar se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë leje nga të gjitha Drejtoritë e Arsimit Komunale për t’i mbajtur zgjedhjet partiake nëpër shkolla.

“Po, kanë marrë leje për të gjitha shkollat, ku janë duke u mbajtur zgjedhjet e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë një zyrtar i MASHTI-it për Demokracia.com.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik në vend. Ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e Ligjit mbi Skemat Pensionale dhe pagesë 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave. Rrjedhimisht, nxënësit në shumicën e shkollave tash e katër javë akoma nuk e kanë filluar mësimin. /Demokracia.com/

Të ngjashme