Lajme
Nushi i PSD-së për top-skandalin e punësimeve në KEK: Kjo është rruga për një pushtet autoritar
Demokracia
20:13 | 05 Prill 2022

Share:

Lëvizja Vetëvendosje po mundohet ta konsolidojë pushtetin e vet përmes punësimeve partiake. Kështu ka vlerësuar sekretari organizativ i Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), Nol Nushi, i cili e ka komentuar për Demokracia.com punësimin e 128 personave në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), rreth 80 prej të cilëve është raportuar se janë të afërt me partinë e Albin Kurtit dhe të tjerët familjarë të menaxhmentit të kësaj ndërmarrje.

Në një prononcim për Demokracia.com, Nushi ka thënë se hipokrizia është një prej problemeve të Kurtit, por jo më i madhi.

“Hipokrizia është problemi i parë, por jo më i madhi. Ai ka premtuar transparencë, por nuk duhet të çuditemi që po ndodhë e kundërta. Konsolidimi i pushtetit është aktiviteti kryesor i Kurtit në vitin e parë. Kjo ndodhë përmes punësimeve dhe konkurseve vazhdimisht”, ka thënë Nushi për Demokracia.com.

Sipas tij, kjo çon në një pushtet autoritar.

“Për ta kapur shtetin, fillimisht duhet ta çkapësh. Dhe kjo po ndodhë ashiqare, pa u fshehur, duke pretenduar që pikërisht kjo është rruga për zhvillim të shtetit. Kurse, në fakt kjo është rruga për një pushtet autoritar”, ka thënë Nushi. /Demokracia.com/

Të ngjashme