OpEd
Nurellari: Nisma e lulëkuqes ka qëllim fisnik por është e gabuar për nga forma e përmbajtja
Demokracia
16:00 | 04 Janar 2023

Share:

Shkruan: Adri Nurellari

Qëllimi fisnik i disa veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare që qëndrojnë pas nismës së propozimit të lulëkuqes për “Gjenocidin në Kosovë” vlen për t’u lavdëruar dhe duartrokitur. Personalisht për dy dekada me radhë të veprimtarisë sime publike jam përpjekur që të shkruaj, ngre zërin e loboj për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive dhe për të pasur nisma shtetërore serioze në këtë sferë. Unë besoj se memoria kolektiv shërben për të pamundësuar përsëritjen e së kaluarës.   Gjithashtu përbën  detyrim moral historik sepse harresa është vrasje për së dyti e viktimave të krimeve kundër njerëzimit me të cilat janë përballur shqiptarët  në dy shekujt e fundit.

Mirëpo përtej motivit të mirë e dinjitoz, mendoj se nisma është e gabuar qoftë në formë e qoftë në përmbajtje. Për sa i përket formës përzgjedhja e lulëkuqes duket si imitim I simbolit të lulëkuqes që përdoret nga shumë shtete për të kujtuar të rënët gjatë Luftës së Parë Botërore si dhe veteranët në përgjithësi.  Në Britani të Madhe, SHBA dhe pothuaj 53 vendet Komonuelthit të Kombeve, lulëkuqja mbahet si simbol lidhur fort Ditën e Armëpushimit  që solli fundin e Luftës së Madhe (11 Nëntor). Zanafillën e ka të një poezi të famshme e kohës, me autor një kirurg kanadez të quajtur “Në fushat flamande” ku u zhvilluan një pjesë e mirë e luftimeve e ku spikaste prania e shumtë e lulëkuqeve të cilat simbolizonin gjakun e shumtë të derdhur.

Gjithashtu, ideja e lulëkuqes ngjan me Lulen e Srebrenicës të cilën e ka pas propozuar në 2011 Shoqata “Gračaničko keranje” (thurrje me grep), si simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës. 11 petalet kujtojnë datën 11 korrik të vitit 1995 kur nisi masakra , ngjyra e bardhë nënkupton pafajsinë ndërsa zemra e gjelbër kërkesën për drejtësi dhe me gjasa identitetin e viktimave.

Ne duam që çështja e gjenocidit të marrë bujë e solidaritet ndërkombëtar sikurse ka ndodhur me kombet me histori të ngjashme e mos të ngatërrohet me një çështje tjetër të mirënjohur ndërkombëtare.  Poashtu është e pahijshme që për një gjë kaq të shtrenjtë historike të konsiderohemi plagjiatorë apo kopjacë e mos të kemi mja…

Ne duam që çështja e gjenocidit të marrë bujë e solidaritet ndërkombëtar sikurse ka ndodhur me kombet me histori të ngjashme e mos të ngatërrohet me një çështje tjetër të mirënjohur ndërkombëtare.  Poashtu është e pahijshme që për një gjë kaq të rëndësishme historike të konsiderohemi plagjiatorë apo kopjacë e mos të kemi mjaftueshëm kreativitet sa të krijojmë një simbolikë tonën domethënëse, unike e të pangatërrueshme me një tjetër.

Kështu për shembull ukrainasit për Holodomorin  që është bërë ndaj tyre kanë përzgjedhur një tufë gruri të mbështjellë me një shirit të zi, për të kujtuar gjenocidin e zisë së bukës. Armenët mbajnë si simbolikë lulen “Mos më harro” për të nënkuptuar nevojën e kujtesës.

Për sa i përket përmbajtjes mandej, nisma lë akoma më shumë për të dëshiruar, duke u përkufizuar me një hapësirë gjeografike e jo me popullin që ra viktimë e saj. Është gjenocid ndaj shqiptarëve dhe nuk është thjesht gjenocid ndaj Kosovës e banorëve të saj sepse nuk i ka prekur kush ta zëmë goranët apo turqit që banojnë në Kosovë.

GJENOCIDI NDAJ SHQIPTARËVE kurrsesi nuk duhet trajtuar si episod i izoluar vetëm gjatë luftës së fundit të Kosovës por si një përpjekje sistematike të shteteve fqinje, shpesh të ndihmuar edhe nga Fuqi të Mëdha, që ka nisur që prej krijimit të tyre në fillim të shekullit të 19-të e ka vijuar për shumë dekada me të gjitha format. Lufta e Kosovës qe kulminimi i fundit historik të gjenocidit ndaj shqiptarëve por periudha historike  si pushtimi i Kosovës në luftërat ballkanike, “reforma agrare”, oporacionet e kërkimit të armëve, dëbimi i organizuar drejt Turqisë nga Pashiqi e Tito, aparteidi etj etj janë gjithashtu pjesë përbërëse të gjenocidit.

Po ashtu ka pasur krahina shqiptare si Sanxhaku i Nishit, pjesa jugore e vilajetit të Manastirit dhe mbarë Çamëria që janë spastruar tërësisht etnikisht si rezultat i të njëjtave përpjekje gjenocidiale të fqinjëve. Prandaj nëse duam ta trajtojmë në mënyrë të drejtë e dinjitoze një çështje kaq të rëndësishme, duhet medoemos që  në mënyrë profesionale të matemi mirë e mos të improvizojmë apo imitojmë nismat e kombeve të tjera, për të qenë sa më të besueshëm e respektueshëm përballë opinionit ndërkombëtar.

Të ngjashme