Lajme
Numri i të vdekurve në Odesa rritet në 19, në mesin e tyre dy fëmijë
Demokracia
14:59 | 01 Korrik 2022

Share:

Të paktën 19 persona, përfshirë dy fëmijë, janë konfirmuar të vdekur pas sulmeve me raketa ruse në një ndërtesë apartamentesh dhe resort në Odesa në Ukrainën jugore, sipas zyrtarëve ukrainas.

38 persona të tjerë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë, u shtruan në spital me lëndime, tha shërbimi i sigurisë së Ukrainës.

Pothuajse të gjitha viktimat ishin në një ndërtesë nëntëkatëshe që u godit nga një raketë në fshatin Serhiyivka në orën 1 të mëngjesit të premten, sipas kohës lokale.

Të paktën dy persona, përfshirë një djalë 12-vjeçar, u vranë në një sulm të veçantë në një vendpushim në fshat, shkruan The Guardian.

Zëvendësministri i Jashtëm i Ukrainës, Yevhenii Yenin, tha se nuk kishte objektiva ushtarake apo infrastrukturë në afërsi të zonave të goditura nga raketat.

Duke folur në vendngjarje, Yenin tha se operacionet e shpëtimit ishin në vazhdim, por “ne nuk presim të gjejmë dikë të gjallë”.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov mohoi se Rusia po godet objektiva civile.

“Dëshiroj t’ju kujtoj fjalët e presidentit se forcat e armatosura ruse nuk punojnë me objektiva civile,” u tha Peskov gazetarëve.

Të ngjashme