Lajme
Nuk pranoi të hiqte dorë nga lidhjet me Rusinë, ish-kancelari gjerman humbet detyrën në Bundestag
Demokracia
19:47 | 19 Maj 2022

Share:

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder, i cili është vënë nën kritika për mos ndërprerjen e lidhjeve të tij të biznesit me Rusinë pas pushtimit rus të Ukrainës, do të duhet të heqë dorë nga zyra e tij në Parlamentin gjerman (Bundestag). CNN shkruan se këtë gjë e ka vendosur të enjten një komision parlamentar buxhetor.   

Koalicioni qeverisës i Gjermanisë, i udhëhequr nga Partia Social Demokrate (SPD) në të cilën Schröder është ende anëtar dhe partia që ai drejtonte dikur, vendosi të shkurtojë të drejtat e veçanta të Schröder-it si ish-kancelar, pas lidhjeve të tij të vazhdueshme biznesi me Rusinë. Ish-kancelari megjithatë do të vazhdojë të marrë pension dhe mbrojtje personale.

Schröder, drejtoi Gjermaninë si kancelar nga viti 1998 deri në vitin 2005 dhe njihet për marrëdhënien e tij të gjatë personale me presidentin rus Vladimir Putin. Schröder gjithashtu u përball me thirrjet nga Parlamenti Evropian të enjten për t’u sanksionuar për shkak të lidhjeve të tij të vazhdueshme biznesore dhe politike me Rusinë. Një rezolutë e Parlamentit të BE-së thoshte se sanksionet e BE-së pas pushtimit të Ukrainës duhet të shtrihen për anëtarët evropianë të bordeve të kompanive të mëdha ruse dhe për politikanët që vazhdojnë të marrin para ruse.

Rezoluta përmendi ish-kancelarin austriak Wolfgang Schüssel dhe ish-kryeministrin francez François Fillon si dy shembuj që dhanë dorëheqjen kohët e fundit nga pozicionet e tyre në kompanitë ruse, dhe kërkon fuqimisht që të tjerët, si Karin Kneissl (një ish-ministër i jashtëm austriak) dhe Gerhard Schröder të bënin të njëjtën gjë, përcjell dosja.al.

Schröder aktualisht mban pozicione drejtuese me kompanitë ruse të energjisë Nord Stream 1 dhe 2 dhe kompaninë e naftës Rosneft, ku ai është kryetar i bordit mbikëqyrës. Schröder është planifikuar gjithashtu të marrë një post të bordit mbikëqyrës për Gazprom të kontrolluar nga Kremlini.

Në mars, kancelari gjerman Olaf Scholz i kërkoi Schröder-it të jepte dorëheqjen nga postet e tij të shumta në kompanitë shtetërore ruse, duke thënë se lidhjet e Schröder-it me Rusinë janë në interesin publik. Politikanët në të gjithë Gjermaninë e qortuan ish-kancelarin për muaj të tërë për mos ndërprerjen e lidhjeve të biznesit me Rusinë. Në fillim të marsit, vetë ekipi i Schröder-it në Bundestag dha dorëheqjen në shenjë proteste pasi nuk arriti ta bindte atë të prishte lidhjet e tij të biznesit me Rusinë.

Të ngjashme