“Unë jap propozimin edhe për emërimin edhe për shkarkimin e një ambasadori. Deri më sot nuk kam asnjë kërkesë nga presidentja për shkarkimin e ambasadorit Berishaj”.
Kjo është deklarata sfiduese e Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, drejtuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një interviste në “Kanal 10” më 24 tetor 2024.
Përmes kësaj përgjigje, Gërvalla po sfidonte seriozisht presidenten Osmani, e cila më 8 shtator 2024, ka kërkuar publikisht, gjithashtu në një intervistë televizive, që ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i përfolur për aferë korruptive në shtetin e Sllovenisë, të largohet nga kjo pozitë.
“Më e mira në raste të tilla do të ishte që derisa të kryheshin procedura të tilla ai të largohej nga ajo pozitë. Nuk mundet presidentja me shkarku dikë krye në vete, sepse është procedurë. Unë në disa raste kam kërku që në qoftë se kjo çështje nuk sqarohet do të ishte më mirë që ai me u tërheq vetë”, kishte deklaruar Osmani.
A DO TË KËRKOJË OSMANI NGA KURTI DHE GËRVALLA PROPOZIMIN PËR SHKARKIMIN E AMBASADORIT BERISHAJ?
Sipas Kushtetutës së Kosovës (neni 84, paragrafi 25) kompetencë e Presidentit të Reublikës është: “emërimi dhe shkarkimi i shefave të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me propozimin e Qeverisë”.
Prandaj, për të pranuar një propozim të tillë dhe për të përmbushur kërkesën publike të kryediplomates Gërvalla, mbetet të shihet nëse presidentja Osmani do të kërkojë zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës propozimin për shkarkimn e ambasadorit Berishaj?
Gjatë vizitës së fundit zyrtare në Kroaci, në vitin 2024, Osmani nuk e kishte ftuar në taim ambasadorin Berishaj. Ajo kishte thënë se këtë e kishte bërë “për të mirën e imazhin të politikës së jashtme të Kosovës”.
“Nuk kam pasur komunikim me të, nuk e kam takuar. Nuk ka qenë me mua në vizitën e fundit (në Kroaci). Sepse kështu kam vendosur. Nuk ka pasur nevojë, sepse e kam pasur stafin tim dhe mendoj që ka shumë gjëra që duhet të sqarohen për të mirën e të gjithëve dhe për të mirën e imazhit të politikës së jashtme të Kosovës”, deklaronte Osmni më 8 shtator 2024.
Lexo më shumë:
Qëndrimi i presidentes Osmani për ambasadorin Berishaj kishte filluar të ndryshojë vetëm pas thyerjes së raporteve me kryeministrin Kurti, sepse këto akuza nuk paraqitnin asnjë problem për të parën e shtetit që ta mbante afër të njëjtin person gjatë vizitës zyrtare në Kroaci në vitin 2023. /Demokracia.com/