Procesi i vaksinimit në Kosovë ka filluar më 29 mars të këtij viti, me vaksina që kanë ardhur si donacione nga mekanizmi COVAX e Bashkimi Evropian. Fillimisht u vaksinuan personeli shëndetësorë, e më pas edhe të moshuarit. Megjithatë, një i moshuar për Demokracia.com ka rrëfyer se pavarësisht se la termin, nuk e mori vaksinën, pasi që i thanë se nuk kanë mbetur doza.
Që nga fillimi i muajit maj përveç në Prishtinë, është bërë ndarja e një pjese të vaksinave edhe nëpër komunat e tjera.
Njëra nga to është edhe Komuna e Mitrovicës. E pikërisht nga kjo komunë i moshuri invalid F.K, për Demokracia.com shprehet i pakënaqur me mungesën e transparencës në procesin e vaksinimit.
Sipas qytetarit F.K nga Mitrovica edhe pas terminit të caktuar, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” i thanë se nuk mund të vaksinohet, pasi kanë mungesë të vaksinave.
‘’Në Qendrën e Mjekësisë Familjare e kam marrë terminin për vaksinim me datën 22 maj 2021 prej orës 17:30 deri në 18:30. Me këtë datë dhe në këtë orë kur shkova në Qendrën e Kulturës ‘Rexhep Mitrovica’ më thanë se nuk kanë vaksina dhe nuk më ofruan kurfarë zgjidhje tjetër se çfarë të bëjë tani. Kanë manipuluar me vaksina dhe ju kanë dhënë atyre që i njohin, më ka treguar edhe një person brenda se si shkon kjo procedurë e që e dijnë të gjithë. Unë jam invalid dhe kam një sëmundje të rëndë dhe do të duhej të më merrnin parasysh më shumë por edhe me termin s më pranuan’’, tha F.K për Demokracia.com.
Vlen të theksohet se pakënaqësi u shfaqen edhe të mërkurën nga e moshuara XH.I nga Prishtina, e cila tha se nuk e ka marrë vaksinën, ani pse ka apikuar para dy javëve.
‘’Ka më shumë se dy javë që djali im ka aplikuar online për mua për vaksinim. Sot kam ardhë që të kërkoj të vaksinohem edhe pa ma thirrur pasi që gjendja ime shëndetësore është e rëndë mirëpo më thanë se duhet të pres gjersa ata të më thërrasin e të vijë edhe pse brenda ishte vetëm një pacientë që hyri për tu vaksinuar, nuk patën arsye me më refuzu, por kjo është gjendja jonë’’, tha dje e moshuara XH.I për Demokracia.com
‘’Vaksinimi është duke vazhduar edhe këtyre ditëve, duke ju dhënë prioritet (me qëllim të shmangies së tollovive) personave të regjistruar në platformën eKosova’’, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Demokracia.com.
Ndërsa nga sot, sipas kësaj ministrie do të bëhet lehtësim për vaksinimin e të moshuarve, duke iu mundësuar regjistrimin në Qendrat e Mjekësisë Familjare.
’Prej të enjtes kjo platformë do të jetë edhe më e thjeshtë për regjistrim dhe një qytetar do të mund te regjistrojë deri në 5 familjarë apo persona të tjerë. Po ashtu, për ata që nuk regjistrohen përmes eKosova, regjistrimi mund të bëhet edhe fizikisht edhe në QKMF përmes Basic HIS (Sistemit Informativ Shëndetësor baze)’’, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë për Demokracia.com.
Ndërkohë, brenda 24 orëve një person ka vdekur dhe 23 të tjerë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 në Kosovë.
Deri më tani, vaksinën anti-Covid në vend e kanë marrë mbi 60 mijë persona./Demokracia.com/
Nga sot të moshuarit në Kosovë mund të lajmërohen edhe fizikisht për të marrë vaksinën