Lajme
Nuk ka dialog mes Qeverisë dhe SBASHK-ut, vazhdon greva në arsim
Demokracia
09:38 | 06 Shtator 2022

Share:

Shkollat në Kosovë nuk do jenë të hapura as sot.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, gjatë ditës së djeshme ka thënë se greva do të vazhdojë, pavarësisht pakos së re të prezantuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cila pritet të mbështesë të gjithë sektorin publik me nga 50 euro.

Kryesindikalisti është shprehur se vendimi i Qeverisë për t’ua ndarë zyrtarëve publikë nga 50 euro është i papranueshëm dhe se ata po kërkojnë dialog.

Jasharaj tha se të gjitha qeveritë e kaluara i kanë pasur dyert e hapura për dialog me SBASHK-un, por një gjë të tillë nuk e kanë edhe në raport me Qeverinë Kurti II

“Kemi kërkuar diçka që është e vogël për shtetin tonë, 100 euro. Kjo 100 euro ka ardhë gjatë rrugëtimit tonë në luftë për ligjin e pagave, të cilin ata e vonun, e vonun dhe e vonun. Kolegë të nderuar, nuk kemi lënë derë, nuk kemi lënë njeri që e kom njoftë, që e kemi lutë që të shkojmë në dialog, sepse unë e di se edhe ju edhe ne, grevën nuk e duam. Por, pasi që nuk na mbet asnjë derë çelur… ju e dini bëmë grevën, atë grevën një orëshe. Por qeveria nuk deshti… dhe tek e fundit doli sa për të treguar se unë boj çka të du, nuk e nigoj askënd dhe doli me atë 50 euro .Që është një shumë që nuk është adresu si duhet dhe as dhe është një shumë që ne nuk na duhet. Ne për lëmoshë e për mëshirë i lusim ilaket ami 20 euro deri në pagë” ka thënë Jasharaj gjatë ditës së djeshme.

Ndërkohë nga partia në pushtet nuk kanë dhënë sinjale për “lëshim pe”.

Me një status në orët e mbrëmjes, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, njëherësh edhe deputete në Kuvendin e Kosovës, grevën e sindikalistëve të arsimit e ka cilësuar si “procesin më të dëmshem të shoqërisë”.

Kusari, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se një grevë e këtillë nuk është rezistencë ndaj Qeverisë, duke kërkuar fillimin e mësimit.

“Greva e SBASHK-ut nuk është “rezistencë” ndaj Qeverisë, ajo është në funksion të procesit më të dëmshëm të shoqërisë, mbajtjen e fëmijëve larg shkollave dhe mësimit në shkolla”, shkruan ajo.

“Kushdo që mundohet të bind opinionin publik se ka arsyetim për këtë veprim, jo vetëm se gabohet rëndë, por edhe krijon fakte të paqëndrueshme të cilat çdo ditë e më shumë po e humbin logjikën e veprimit”, përfundon postimi i saj.

Vetë kryeministri Kurti ditë më parë ka kritikuar SBASHK-un duke i quajtur kërkesat e tyre “irracionale dhe absurde”.

Të ngjashme