Lajme
Nuk i besojnë Kurtit? | Osmani e Konjufca të pashqetësuar nga “kërcënimet” për atentat ndaj Kurtit, nuk bëjnë asnjë reagim (Foto & Video)
Demokracia
08:32 | 12 Shkurt 2024

Share:

As presidentja Vjosa Osmani dhe as kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk janë shqetësuar aspak për “kërcënimet” me atentat ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Mungesa e reagimeve nga dy drejtuesit shtetërorë për “kërcënimin” e një drejtuesi tjetër shtetëror, siç duket është mesazh i qartë se presidentja dhe kryeparlamentari nuk i kanë besuar lajmit të konfirmuar edhe personalisht nga kryeministri Kurti, shkruan Demokracia.com.

Më 10 shkurt 2024, gjatë ditës, RTK ka dhënë lajmin me titull “Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kërcënuar me vrasje, masa të rrepta në Shkup”, duke u mbështetur në burime anonime nga institucione të sigurisë në Kosovë.

Këto burime i kanë thënë RTK-së se “menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup”.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, thuhet në lajmin e RTK-së.

Lëvizja Vetëvendosje ka treguar të shtunën se Kurti ishte në Shkup ku mori pjesë në takimin rajonal të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropianë (PSE), që ishte mbajtur në selinë e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM).

Ky lajm nuk është marrë me shumë seriozitet nga komentuesit politikë, të cilët e kanë parë më shumë si një lajm propagande për të mbuluar paraqitjen katastrofale të kryeministrit Kurti në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në këtë mbledhje, për herë të parë në historinë e Kosovës, për shkak të kryeministrit Albin Kurti, shteti i Kosovës nuk ka marrë mbështetje ndërkombëtare për vendimet e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe aleatët tjerë dhe shtetet që njohin pavarësinë e Kosovës (Britania e Madhe, Franca, Japonia).

Lexo më shumë:

Nën Kurtin, Kosova fillon të marrë teposhtëzen | Ndodhi për herë të parë në Këshillin e Sigurimit, SHBA-ja dhe vendet e tjera aleate nuk përkrahin vendimet e shtetit të Kosovës

OSMANI INJORON “KËRCËNIMIN” E KURTIT, PUBLIKON VIDEO TË BUKURIVE TË BAJGORËS DHE URON PRESIDENTIN E RI TË FINLANDËS

Presidentja Osmani ka injoruar tërësisht lajmet për kërcënimin e kryeministrit Kurti, që së bashku formuan koalicionin për ndarjen e pushtetit pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Osmani ka postuar në rrjetet e saj sociale, në X dhe në Facebook video nga bjeshkët e Bajgorës të mbuluara nga bora dhe në orët e mbrëmje ka uruar presidentin e ri të zgjedhur në Finlandë.

KONJUFCA NUK REAGON, E SHIKON ÇUDITSHËM BASHKËPARTIAKUN KURTI

As kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, nuk e ka parë të udhës që të bëjë ndonjë reagim pas lajmit të dhënë nga RTK dhe as pasi i njëjti lajm është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës, brenda një kohe të shpejtë pas publikimit të lajmit.

Madje, Konjufca nuk ka thënë asnjë fjalë as pasi ishte prezent në momentin kur Kurti po e konfirmonte edhe vetë vërtetësinë e lajmit të publikuar.

Siç mund të shihet në videon, Konjufca e sheh me shumë çudi kryeministrin Kurti, deri sa po iu tregonte mediave se nga kush është kërcënuar.


7642E826-BCCB-4821-BD3E-923A77DACE44

“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, deklaroi Kurti.

Kryeparlamentari Konjufca nuk ka reaguar as në rrjetet e tij sociale. / Demokracia.com /

Të ngjashme