Lajme
Nuk gjen zbatim Ligji për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës
Demokracia
14:25 | 14 Shtator 2022

Share:

Prishtinë – Në seancën e parë plenare të Kuvendit për Sesionin Vjeshtor (15 shtator 2022), do të diskutohet dhe do të hedhet për votim Raporti i Komisionit për Legjislacion për Monitorimin e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës. Komisioni ka konstatuar se Ligji është i pazbatueshëm në praktikë dhe moszbatimi i tij nuk ndërlidhet me nevojën për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, por për shkak të mosveprimit të institucioneve përgjegjëse.

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit më 28 shkurt 2022, kishte formuar grupin punues për zbatimin e këtij ligji për çështjet si në vijim: aplikimi i dispozitave të këtij ligji në praktikë, problemet me mungesën e dispozitave në këtë ligj, zbrazëtitë e këtij ligji dhe procedura dhe funksionaliteti/zbatimi i këtij ligji. Grupi punues kishte hartuar dhe miratuar planin e veprimit mbi bazën e së cilit janë zhvilluar vizita në institucionet përgjegjëse dhe aktivitete të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për ta pasur më të qartë nivelin e zbatimit të këtij ligji, grupi punues kishte dërguar kërkesa për informacione me shkrim nga Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Ministria e Punëve të Brendshme, Shërbimi Sprovues, Policia e Kosovës dhe Institucioni i Avokatit të Popullit.

Nga vizita në Ministrinë e Drejtësisë, ministrja Albulena Haxhiu i ka njoftuar anëtarët e Komisionit se dy (2) aktet nënligjore të parapara me këtë ligj, është vlerësuar se për të dy çështjet mund të rregullohen me vetëm një akt, i cili tashmë është nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme (Udhëzimi Administrativ (MPB) nr. 11/2016 për Realizimin e Mbikëqyrjes Elektronike dhe Raportim nga Policia e Kosovës, të Personave të Cilëve iu Kufizohet Lëvizja).

KGjK në përgjigjet e saj kishte njoftuar se nga të dhënat e disponueshme deri më tani. nuk ka vendime gjyqësore që lidhen me këtë ligj. Sipas informacioneve të dërguara nga KGjK, rezulton se deri më tani asnjë kërkesë nuk është ushtruar ndaj gjykatave nga prokurorët dhe avokatët për vendosje për përdorimin e mbikëqyrjes elektronike.

Raporti evidenton përgjigjet e KPK-së, të cilat tregojnë për mungesën e zbatimit të nenit 5 të Ligjit, ku përcaktohet e drejta e prokurorit për të kërkuar nga gjykata për përdorimin e mbikëqyrjes elektronike.

Shërbimit Sprovues në përgjigjet e dërguara ka njoftuar se nuk ka pasur asnjë kërkesë për hartimin e raportit para-ndëshkues në zbatim të mbikëqyrjes elektronike dhe se nuk posedon informacione nëse është shqiptuar një masë e tillë për mbikëqyrje elektronike. Për më tepër, ende nuk është përë asnjë studim i fizibilitetit për të parë mundësinë e zbatimit të kësaj mase nga ana e këtij institucioni.

Komisioni ka dërguar pyetje me shkrim edhe në dy institucione tjera të rëndësishmë, në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Kosovës.

Në përgjigjen e saj, MPB e ka njoftuar Komisionin se përgjigjet do adresohen përmes zyrës ligjore të Policisë së Kosovës. Kjo e fundit ka treguar se është hartuar një projekt përmes së cilit synohet blerja e pajisjeve elektronike për monitorim të personave ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën e monitorimin elektronik, por që në momentet kur po monitorihet zbatimi i këtij ligji, projekti ende është në fazën e studimit të fizibilitetit nga një kompani private, e angazhuar nga Misioni i OSBE së në Kosovë.

Komisioni është njoftuar se asnjë kërkesë nuk është bërë ndaj Ministrisë së Financave nga MPB-ja për ndarje të buxhetit në mënyrë që ky ligj të fillojë të zbatohet.

Raporti i monitorimit të zbatimit të këtij ligji, ka evidentuar edhe mungesën e trajnimeve për gjyqtarë për këtë çështje nga Akademia e Drejtësisë.

Komisioni ka përpiluar tre rekomandime: 1) sigurimin e buxhetit të nevojshëm për blerjen e pajisjeve (byzylykëve), 2) funksionalizimin e sallës operative nga Policia e Kosovës dhe 3) mbajtja e trajnimeve për gjyqtarë dhe prokurorë nga Akademia e Drejtësisë, dhe trajnime për avokatët. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme