Lajme
“Nuk e dimë çka mund të urdhërojë nesër ushtrinë Vuçiqi”: Kurti s’e përjashton mundësinë për sulme të reja
Demokracia
13:10 | 19 Dhjetor 2023

Share:

Tekave të Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u dihet.

Kështu së paku beson Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili duke folur në një intervistë me gazetën gjermane “Stern” rreth potencialitetit të një konflikti apo sulmi eventual ndaj Kosovës nga Serbia, thotë se “nuk e dimë se çka nesër Vuçiqi mund t’i urdhërojë policinë dhe ushtrinë”.

Sepse, thotë ai, “ne në vazhdimësi ndjejmë agresivitetin e Serbisë” teksa shpjegon organizimin ushtarak serb përgjatë kufirit me Kosovën “si patkua”.

Nuk mund ta përjashtojmë”, thotë ai rreth eventualitetit të një konflikti të re, por shprehet i bindur se “jemi vigjilentë”.

Kemi mbështetjen e trupave tonë dhe ato të NATO-s, që kanë përforcuar qëndrimin e tyre që nga sulmi i shtatorit për ta mbajtur të sigurt vendin tonë”.

Rreth sulmit të Banjskës, Kurti i thotë medias gjermane se këtu është veç një person – Vuçiqi – sepse “Serbia është show i vetëm një njeriu”; teksa shton edhe burimin e armëve sulmuesit paraushtarak e kishin nga ushtria serbe.

Mbarë problemet tona të sigurisë kombëtare, sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial vinë nga Serbia”, ka thënë Kurti.

Por, nën qeverisjen time ne kemi marrë veprime të suksesshme kundër krimit të organizuar. Dhe, kjo, i ka bërë disa njerëz në veri tejet nervoz sepse po e përdornin atë rajon për përfitim të vet. Kjo kulmoi në sulmin terrorist më 24 shtator”, ka thënë mes tjerash ai.

Por, megjithëkëtë, Kurti i thotë “Stern”-it gjerman se Marrëveshja Bazike për normalizim të marrëdhënieve “është gjallë”.

Dhe “është gjallë”, thotë ai, teksa fjalinë e vazhdon me atë që “Serbia e shkelë atë çdo javë”.

Ndërsa “problemi më i madh”, thotë Kurti, ështën heshtja dhe pasiviteti i BE-së, “e cila nuk ndërmerr veprime kur Serbia shkel marrëveshjet”.

Ndërsa “marrjen me të mirë” të Serbisë nga ana e diplomatëve perëndimorë, Kurti e quan gjë aspak të duhur. Sepse “nuk funksionon kjo”, shton ai.

Ka shumë frikë nga ana evropiane se Serbia do të zhvillohet në drejtim të Bjellorusisë. Zhvillimi tashmë po shkon tërësisht në këtë drejtim. Mbaj mend që miqtë e mi në diplomacinë evropiane më thoshin para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në prill 2022: Pritni zgjedhjet në Serbi do të sjellin një ndryshim kursi drejt Perëndimit”.

“Por kjo nuk ndodhi. Shumica e diplomatëve perëndimorë dhe ekspertëve të politikës së jashtme ose kanë frikë se mos e humbasin plotësisht Serbinë, ose besojnë se mund t’i çojnë disi në rrugën drejt Perëndimit – thjesht duhet të presin edhe pak. Por nuk funksionon”, thotë Kurti.

Kurti, mes tjerash, thotë se Beogradi bëhet çdo herë e më “nervoz dhe agresiv” aq më shumë që Kosova bën mirë për serbët e Kosovës.

Popullsia jonë është 93 për qind shqiptare, por kemi edhe katër për qind serbë dhe minoritete të tjera. Kemi diskriminim pozitiv: 20 nga 120 vendet në parlament janë të rezervuara për pakicat e caktuara, por serbët po bojkotojnë vendet e tyre sepse Beogradi u thotë ta bëjnë këtë”.

Ne i mbështesim serbët në Kosovë në mënyra të ndryshme: ndërtojmë shtëpi, ndihmojmë fermerët fillestarë – Ministri im për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, serb, po kujdeset për këtë. Por sa më shumë të mira të bëjmë për serbët në Kosovë, aq më nervoz dhe agresiv bëhet Beogradi. Në vitet e fundit, Beogradi është bërë edhe më nervoz pasi miratimi i degës së partisë së Presidentit Vuçiq atje ka rënë në tetë për qind”, thotë Albin Kurti.

Të ngjashme