Lajme
“Nuk e di a lirohen, por s’kalojnë pa një aktakuzë”: Si u zbyth Vuçiqi nga rrëmbimi i tre policëve
Demokracia
12:47 | 26 Qershor 2023

Share:

Kryetema gati dy javore me rrëmbimin e tre policëve morri fund. Gjykata e Kralevës ua “konfirmoi aktakuzën” ndërsa morri vendim që t’ua heq ndalimin dhe “t’i lirojë të mbrohen në liri”. Kështu do të konfirmonte avokati i caktuar serb i tyre, Gradimir Naliq. “Është konfirmuar aktakuza, është hequr paraburgimi dhe do të mbrohen nga liria”, tha Naliq për RFE dhe shtoi se policët po kthehen në Kosovë. Shtoi se “është në interes të klientëve të mi” të mos thotë më shumë rreth rastit. Si u zmbraps Vuçiqi nga akti i tij i rrëmbimit?

Thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, tre policë të rregulltë kufitarë – Raif Zeka, Shem Mustafa, Beçir Sefa – u rrëmbyen dhunshëm nga njësitet speciale policore serbe. Mediat dhe tabloidet rrufe të propagandës serbe do t’i mëshonin titujve senzacional dhe bombastik se tre pjesëtarë “të njësive speciale të Kurtit” janë arrestuar “në Serbinë qendrore”.

Shteti kosovar e quajti agresion të kulluar nga Serbia ndërsa iu drejtuan komunitetin ndërkombëtar për ndihmë në lirimin e tyre por edhe “të dënojnë agresionin e Serbisë”. Kjo e fundit nuk ndodhi, por e para. Mbarë shtetet e QUINT-it do të kërkonin nga Serbia lirimin e tre policëve – ndonëse pa dhënë vlerësime se a u “rrëmbyen” apo u “arrestuan” dhe në apo jashtë territorit të Kosovës – pa as edhe një kusht të vetëm.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës me dhjetra herë i kërkuan Serbisë lirimin e pakushtëzuar deris argumentuan se cila do të që të jetë – ose dalja pa qëllim në territor serb ose rrëmbimi i tyre në territor të Kosovës – ata janë të pafajshëm dhe duhet të kthehen në shtëpitë e tyre.

Derisa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehej i ngurtë në atë se nuk do të lëkundej nga kërkesat e shumta që i vinin, atij do t’ia kërkonte Orbani (ose Vuçiqi do t’i kërkonte atij që t’ia kërkonte publikisht këtë) që tre policët shqiptarë të arrestuar të lirohen.

“Ne hungarezët e shohim këtë dhe na është e qartë, këtu është ky rasti, këta tre policë të Kosovës, ju lus me respekt, i nderuari president Aleksandër, të mendoni mirë për këtë, armiqtë e Serbisë mezi presin t’ju bëjnë keq, të dëmtojnë Serbinë, dhe kjo është një situatë e tillë, një temë e tillë në të cilën mendoj se do të ishte mirë të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë, për t’i kthyer këta tre shqiptarë në Kosovë. Unë mendoj se kjo do t’ju ndihmonte që kauzën tuaj ta përmisoni, prandaj ju lutemi të mendoni për këtë”, do t’i thoshte Orban, Vuçiqit në Beograd.

Ndërkaq sot Orban u lajmërua në Twitter i ngazëllyer se “miku” i tij Vuçiq ia kishte dëgjuar këshillën për lirimin e tre policëve.

Më i zëshmi në lirimin e tyre ishte Edi Rama, i cili madje tha se tërë marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë “janë pezulluar” dhe “janë kthyer në pikën zero” për sa kohë tre policët mbahen atje. S’ka asnjë gjë tjetër në komunikimet ndërshtetërore, thoshte Rama, për sa kohë ata janë aty.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje duke folur në Tv Pink, tha se “nuk e di nëse do të lirohen ose jo” por se atë çfarë di është se “nuk do të kalojnë pa një aktakuzë”.

“E vetmja gjë që kanë për të thënë kundër nesh në Bruksel, dhe tani erdhën me prova nën shenjat e akuzave: këtu hëngrën sanduiçe. Dhe ne kemi rrëfime, ju e dini, në çdo formë, një njeri që thotë se si humbi. dhe shkoi te mbledhë kerpudha etj.. Dhe tani befas nuk jane kerpudha por po hanin nje sanduiç etj., pra eshte ceshtje e organeve kompetente, me kete merren njerezit ne Kralevë, a do i leshojne a jo, kjo është punë e tyre, nuk besoj se mund të shkojnë pa aktakuzë, por çështja e paraburgimit është diçka tjetër, kjo është një pyetje e organeve kompetente, nuk besoj se mund të shkojë pa një aktakuzë”, tha Vuçiq.

“Ajo që po u them njerëzve dhe e di me siguri është se njësitet tona i kanë arrestuar në territorin e Serbisë qendrore. Unë as nuk e di dhe as nuk më intereson se çfarë ka ndodhur në territorin e Kosovës. Unë e di se çfarë ka ndodhur në territorin e Serbisë qendrore, dhe unë kam videon dhe të gjitha materialet e tjera që e vërtetojnë atë”, tha mes tjerash ai.

Gjykata e Lartë në Kralevë “ka konfirmuar aktakuzën” ndaj tyre por se ka lëshuar vendimin “që i jep fund mbajtjes së tyre në paraburgim”, u njoftua në mëngjesin e sotëm në mediat serbe.

“Pas zhvillimit të procedurës paraprake dhe ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë kundër të dyshuarve BS, RZ dhe Sh.M. për nga një vepër penale, prodhimi, mbajtja, mbajtja dhe trafikimi i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse nga Art. Rr. 348. 4. në lidhje me para. 2 në lidhje me para. 1 të Kodit Penal (të Serbisë), trupi jogjykues i Gjykatës së Lartë në Kraljevë ka konfirmuar aktakuzën ndaj të pandehurve të lartpërmendur dhe ka nxjerrë aktvendim me të cilin të pandehurve u është ndërprerë paraburgimi”, thanë Gjykata e Kralevës./Nacionale/

Të ngjashme