Tifozët më të zjarrtë të Milanit kanë njoftuar një protestë të veçantë për ndeshjen e fundit të sezonit kundër Monzës, duke deklaruar se do të largohen nga stadiumi San Siro pas 15 minutave të para.
Ultrasit kanë bërë të ditur se ky veprim është një formë proteste ndaj lojtarëve dhe menaxhmentit, të cilëve, sipas tyre do t’u lënë “turpin e tyre” pas vetes.
Protesta vjen pas humbjes ndaj Romës që zyrtarisht i përjashtoi Rossonerët nga garat evropiane për sezonin e ardhshëm.
Monza gjithashtu nuk ka objektiva për këtë ndeshje, pasi tashmë ka rënë nga Serie A disa javë më parë.
Tifozët kanë paralajmëruar pjesëmarrje masive, duke e cilësuar këtë veprim si një mesazh të qartë kundër pronarit Gerry Cardinale, drejtuesve të klubit dhe ekipit.
“Nga Casa Milan do të shkojmë në San Siro, do të qëndrojmë 15 minuta dhe më pas do të largohemi me dinjitet,” thuhet në deklaratën e ultrasve.
Pavarësisht fitimit të Superkupës së Italisë dhe ardhjes së trajnerit Sergio Conceicao pas Paulo Fonseca, Milani përfundon sezonin pa kualifikim në Evropë për herë të parë që nga 2019/2020.