Sport
Nuhiu tregohet i matur para derbit me Gjilanin, Haxhimusa thotë se vetëm fitorja është objektiv për Dritën
Demokracia
18:10 | 23 Nëntor 2021

Share:

Një ditë para derbit të madh ndërmjet Gjilanit dhe Dritës, këta të fundit kanë mbajtur një konferencë për media.

Në konferencë kanë marrë pjesë trajneri i skuadrës, Ardian Nuhiu dhe sulmuesi, Betim Haxhimusa, shkruan Demokracia.com.

Tekniku shkupjan është treguar i matur në deklaratë duke e vlerësuar kundërshtarin, ndërsa ka shtuar se kanë punuar për t’i përmisuar gabimet e humbjes në derbin e parë (0-2).

“Kemi analizuar kundërshtarin dhe e njohim shumë mirë, sepse tashmë jemi përballur me ta. Bëhet fjalë për skuadër e cila po vepron shumë mirë në grup dhe kanë individ që dijnë të zgjidhin ndeshjen. Kemi marrë të gjitha masat, jemi munduar që gabimet që kemi bërë në takimin e parë të jemi më të kujdesshëm e t’i përmirësojmë. Shoh te skuadra një motiv të veçantë, sepse edhe ndeshja është e tillë. Kam besim shumë se ashtu si e kemi përgtitur ndeshjen dhe ekipi do të performojnë në atë mënyrë, duke qenë të kujdesshëm e të përgjegjshëm. Kështu pikat e dobëta që mund të paraqiten në ndeshje nga kundërshtari, t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë”, ka thënë Nuhiu në konferencë.

Ndërsa futbollisti ferizajas, Haxhimusa ka thënë se objektiv për të dhe bashkëlojtarët është vetëm fitorja.

“Është gjithmonë nder dhe kënaqësi ta përjetosh këtë derbi si lojtar dhe më gëzon fakti që bashkëlojtarët janë në formë të mirë.  Objektivi ynë është vetëm fitorja nesër, ta bëjmë maksimumin në të gjitha detyrat që na jep trajneri. Motivi në derbi është gjithmonë më i madh, janë tifozët dhe luftohet për krenarinë e qytetit, prandaj një fitore ia kemi borxh edhe tifozëve tanë “Intelektualët”, të cilët shpresoj t’i gëzojmë nesër”, ka thënë Haxhimusa në konferencë.

Ndeshja derbi ndërmjet Gjilanit dhe Dritës nis me fillim nga ora 13:00. /Demokracia.com

Të ngjashme