Sport
Nuhiu: Llapi është kundërshtar i vështirë, por ne jemi gati
Demokracia
15:50 | 18 Shkurt 2022

Share:

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka folur sot në një konferencë për media, një ditë para duelit me Llapin.

Drita është nikoqire e Llapit, në kuadër të javës së 20-të në elitën e futbollit kosovar, raporton Demokracia.com.

Nuhiu vlerësoi lartë skuadrën e Llapit, duke theksuar se ata janë kundërshtar i vështirë.

“Nesër na pret një ndeshje realisht shumë e fortë me një kundërshtar të vështirë, ngase nëse shohin ecurinë e tyre në dhjetë ndeshjet e fundit janë ndër më të mirët. Jemi munduar t’i analizojmë, kanë skuadër të mirë dhe rezultatet e tyre të deritanishme nuk janë të rastësishme”, deklaroi trajneri Nuhiu në konferencë.

Tekniku shkupjan tutje potencoi se skuadra e tij është gati për ta kaluar këtë “pengesë”.

“Skuadra jonë është gati dhe më gëzon fakti që të gjithë futbollistët janë mirë me shëndet dhe kemi marrë të gjitha masat se si ta gjejmë rrugën që ta kalojmë këtë pengesë, realisht mjaft të vështirë. Kemi futbollistë kualitativ, për të cilët shpresoj që nesër të shprehen në terren dhe të tregojnë e të marrin më të mirën. Të gjithë janë të gatshëm për të performuar në një ndeshje të madhe, e cila mendoj se është e tillë”, ka shtuar trajneri shkupjan.

Në konferencë i pranishëm ishte edhe futbollisti, Ilir Blakçori.

Përballja mes Dritës dhe Llapit luhet të shtunën me fillim nga ora 13:00 në stadiumin e qytetit në Gjilan. /Demokracia.com/

Të ngjashme