Sport
Norwichi nuk e ul çmimin për Rashicën, i cili insiston t’i bashkohet Galatasarayt
Demokracia
17:12 | 14 Gusht 2023

Share:

Sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica, po bën të pamundurën për ta bindur Norwich Cityn që të arrijë marrëveshje me skuadrën e Galatasarayt. Mirëpo, një gjë e tillë po duket larg për shkak të mosmarrëveshjes së klubeve për çmimin e futbollistit kosovar.

Norwichi po kërkon 8 milionë euro për kartonin e Rashicës, ndërsa Galatasaray nuk po ofron mbi 5 milionë euro. Ekipi anglez nuk e ka ndërmend ta shesë nën çmimin e caktuar Rashicën, i cili edicionin e shkuar ishte i huazuar te Galatasaray.

Në anën tjetër, si Galatasaray ashtu edhe Rashica po duan të ribashkohen pasi tashmë thuhet se kanë arritur marrëveshjen. Madje, mediumet angleze kanë raportuar të hënën se Rashica e ka informuar Norwichin se dëshiron të transferohet te Galatasaray pasi tashmë ka marrëveshje por ekipi nga Championshipi është i vendosur në kërkesën e tij.

Te Norwichi besojnë se kartoni i Rashicës vlen 8 milionë euro, duke pasur parasysh se 27-vjeçari u tregua i suksesshëm gjatë huazimit të tij te Galatasaray. Ai e fitoi titullin e kampionit të Turqisë, ndërsa në total pati 6 gola e 7 asistime në 30 paraqitje në të gjitha garat me fanellën e Galatasarayt.

Mësohet se Rashica është pajtuar me kontratë katërvjeçare te skuadra turke dhe është në pritje të arritjes së marrëveshjes mes klubeve. Te Norwichi nuk llogaritin në Rashicën, i cili ka kontratë valide deri në verën e vitit 2025 dhe trajneri David wagner ka pranuar se pret që ai të shitet deri në fund të këtij afati kalimtar. Rashica në verën e vitit 2021 iu bashkua Norwichit si përforcim i madh në Premier League nga Werder Bremeni për 11 milionë euro. Mirëpo, ai nuk arriti të arsyetonte çmimin e paguar pasi shënoi vetëm 2 gola dhe bëri po aq asistime në 35 ndeshje të luajtura në të gjitha garat. Mbi të gjitha, Norwichi nuk arriti të mbijetonte në Premier League duke u rikthyer në championship pas vetëm një edicioni dhe Rashica menjëherë u huazua. Rashica po stërvitet me Norwichin, por nuk ka qenë fare i përfshirë në ekip për dy ndeshjet e para të këtij edicioni, ku Norwichi ka shënuar një fitore dhe një barazim. Edhe në Turqi tashmë ka nisur edicioni 2023/24, ndërsa Galatasaray ka barazuar në ndeshjen e parë. Te skuadra turke po shpresojnë që brenda kësaj jave të gjejnë gjuhën e përbashkët me Norwichin për transferimin e Rashicës. Megjithatë, tek ekipi anglez janë të vendosur në kërkesën e tyre prej 8 milionë eurosh për reprezentuesin e Kosovës. Rashica karrierë ka bërë edhe në Holandë, ku ishte pjesë e skuadrës së Vitesses.

 

Të ngjashme