Lajme
“Non-paper” që mund të cenojë dialogun
Demokracia
20:13 | 29 Prill 2021

Share:

Dy non-paper të publikuar në javët e fundit kanë shqetësuar Kosovën por edhe tërë Ballkanin e më gjerë. Zgjidhjet e përmendura në këto dy letra janë ide që nuk janë dëgjuar asnjëherë më parë. A do të thotë se largimi i udhëheqësve politikë të dalë nga UÇK-ja i ka hapur dyert projekteve që cenojnë shtetësinë e Kosovës?

Këtë muaj, dy non-paper kanë tronditur opinionin publik në Kosovë si dhe në tërë Europën, për shkak të zgjidhjeve që ofrohen për çështjet ende të hapura në Ballkanin Perëndimor, pra për temat që janë në portofolin e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë dhe për çështjet e tjera të hapura në Ballkanin Perëndimor.

Emri i saktë flet për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, pasi BE nuk e njeh Kosovën (ndonëse BE nuk njeh asnjë shtet).

Nuk është e pazakontë që para zhvillimeve të reja të ketë non-paper. Sa herë fillon një fazë e rëndësishme e procesit, publikohen non-paper që, më shumë se çdo tjetër, synojnë të nxjerrin nga binarët vet procesin.

Non-paper i parë u zbulua nga mediat e Bosnjës dhe u tha se ishte dërguar nga Kabineti i Kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, në zyrën e Presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michael, dhe fliste për ndryshime drastike të kufijve në tërë Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Jansha u distancua menjëherë nga ai dokument, edhe pse mediat në Slloveni insistuan se dokumenti vërtet ekziston.

Një lexim i shpejtë i këtij non-paper zbulonte se është i shkruar me një anglishte të dobët dhe idetë e prezantuara aty janë përshkruar shkurt dhe pa përpjekje për t’i mbështetur me ndonjë të dhënë.

Por, non-paper i dytë, i publikuar nga media kosovare Koha, ishte më ndryshe në përmbajtje. E para, ishte shkruar me gjuhë më të sofistikuar dhe idetë e prezantuara aty ishin më të elaboruara dhe u referoheshin më shumë dokumenteve e proceseve tjera.

Ky non-paper i dytë, që flet vetëm për Kosovën, përmend disa ide që nuk janë dëgjuar më herët e që, nëse do të realizoheshin, do ta dëmtonin skajshmërisht shtetësinë e Kosovës, integritetin e shtetit dhe aftësinë për të funksionuar. Rrjedhimisht, nuk do të sillnin paqe të qëndrueshme, as në Kosovë por as në rajonin e Europës Juglindore.

Si edhe me të tjerë non-paper, më e mira është që të injorohen dhe vëmendja të mbahet në ato se çfarë janë të tavolinë.

Por, këtë radhë ka vend për më shumë shqetësim.

E para, Kosova ka qeveri të re, që udhëhiqet nga një parti, Lëvizja Vetëvendosje, që nuk ka qenë asnjëherë në pushtet dhe nuk ka qenë asnjëherë pjesë e proceseve të ndërlikuara dhe të gjata në të cilat është diskutuar për themelet e shtetit të Kosovës.

E dyta, liderët kryesorë politikë të dalë nga UÇK-ja janë hequr me dhunë nga skena politike në Kosovë.

Këto rrethana të reja dikush mund t’i sheh si mundësi për të shtyrë përpara zgjidhje që cenojnë Kosovën si asnjëherë më parë.

Kjo duhet ta bindë qeverinë e Kosovës që të përpilojë një plan të qartë për atë se çfarë pret Kosova nga dialogu, çfarë mund të negociojë dhe çfarë është që nuk mund të negociohet. Njohja nga Serbia dhe ulësja në Kombet e Bashkuara janë synimet e deklaruara të Kosovës në procesin e dialogut. Për të arritur këtë, partnerët ndërkombëtarë kanë thënë se kërkohet kompromis i dhimbshëm. Pra, Qeveria, së bashku me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, por edhe me shoqërinë civile, mediat, akademinë, duhet të caktojë se sa “dhimbje” mund të pranojë Kosova për njohjen dhe ulësen në KB. Këto dy qëllime janë shumë të dëshiruara, por Kosova nuk mund të sakrifikojë të ardhmen e vet për këto dy qëllime.

 

 

Të ngjashme