Lajme
Njohja greke: “Gafa diplomatike e Kurtit” me Greqinë mund t`i kushtojë Kosovës
Demokracia
14:44 | 13 Shtator 2023

Share:

Demantimi i kryeministrit Albin Kurti nga Greqia për çështjen e njohës së Kosovës po shihet si problematik për vendin.

Njohësit e politikës së jashtme kanë vlerësuar e paralajmërimi i kreut të ekzekutivit së Greqia shumë shpejt do ta njoh Kosovën është një gafë e radhës e diplomacisë së Kosovës. Ata kanë bërë me dije se kjo mund t`i kushtojë Kosovës.

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti, ka theksuar se një kryeministër i përgjegjshëm nuk komunikon në këtë mënyrë.

“Edhe një huqje diplomatike e Kurtit. Paralajmëroi kryeministri Kurti para pak ditësh se Greqia është më afër njohjes së Kosovës. Provokoi pa nevojë demantin e Greqisë, që thotë se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar. Greqia duhet ta njohë dhe do ta njohë Kosovën një ditë sigurisht. Një Qeveri e përgjegjshme e Kosovës nuk duhet të veprojë dhe të komunikojë si kjo e Albin Kurtit – në dëm të Kosovës. Prej padijes, sigurisht!”, ka shkruar Hamiti në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj, e ka vlerësuar si gabim paralajmërimin e Kurtit për njohjen nga Greqia.

Në profilin e tij në “Facebok”, ai ka shkruar se diplomaci duhet të ketë kujdes me informacionet që posedon.

“Një nga vështirësitë (por poashtu një nga mjeshtëritë) e punës në diplomaci është se duhet tërë kohën të tregohesh i përmbajtur në menaxhimin e informacioneve që posedon, apo për ato çfarë është duke ndodhur. Dhe kjo është një aftësi që nuk e kanë zakonisht qeveritarët politikanë. Pra, ka një dallim, ndërmjet zejes së diplomacisë dhe asaj të qeverisjes në kuptimin e ngushtë të fjalës. Pra, ne mund të kemi plot qeveritarë, njerëz që mbajnë poste qeveritare, që janë politikanë të zakonshëm, por, është shumë vështirë të ndërtohen diplomatë përnjëmend”, ka shkruar ai.

Sipas tij, kjo qasje deri me tani i ka kushtuar disa herë Kosovës.

“Ngarendja për të treguar se do të na njeh një shtet, përgjatë historisë, na ka kushtuar shumë herë me mosnjohje dhe ndrrim të pozicionit, apo shtyerje të aktit të njohjes formale. Sepse ndikohet konteksti. Stili ‘unë e di datën’ në diplomaci nuk funksionon. Kësaj radhe Greqia, herave tjera ka ngjarë për vende të tjera”, ka shkrua ai.

Ndërsa, politologu Avdi Smajljaj ka thënë për gazetën Nacionale se fokusimi i Kurtit të Greqia ka bërë që të lë anash shumë shtete tjetra.

“Nëse e marrim për bazë angazhimin e kryeministrit jashtë vendit, Greqia del të jetë vendi ku kryeministri ka kaluar pjesën më të madhe të kohës jashtë vendit. Ndoshta kjo mund të jetë bërë edhe me synimin se kjo mund të ndikoj në ndryshimin e qasjes së Greqisë ndaj shtetit të Kosovës. Megjithatë, siç duket kjo nuk ka ndikuar në ndryshim të pozicionit të Greqisë ndaj shtetit të Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se qasja e kryeministri për njohje të reja është parciale.

“Për më tepër, ky fokus i kryeministrit në Greqi, ka bërë që të lihen anash shumë vende tjera që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, e që kryeministri dhe qeveria e vendit do të duhej të kishin strategji të qartë dhe veprime konkrete drejt këtyre shteteve, gjë që po vazhdon të mungojë. Pra, tejkoncentrimi i kryeministrit në Greqi, që rezultoi jo i frytshëm as sa i përket Greqisë, është një qasje parciale, jo sistematike dhe e kushtueshme për vendin në politiken e jashtme”, ka thënë Smajlaj.

Çka tha Kurti?
Ditë me parë, kryeministri Albin Kurti u shpreh optimist për njohjen e Kosovës nga Greqia.

Në një intervistë për “TVP Ëorld”, Kurti ai ka thënë se shteti helen është nisur në atë drejtim.

Sipas tij, Greqia është me se afërmi njohjes nga pesë vende e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Madje, për të mbështetur argumentin e tij ai ka deklaruar se zyra ndërlidhëse kosovare në Athinë kohëve të fundit edhe është “lartësuar” për nga niveli.

“Greqia është ajo që po prinë nga këto pesë shtete kur jemi te përafrimi për njohje. Gjithashtu edhe statusi i zyrës së sonë në Athinë është lartësuar kohëve të fundit”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.

Por, shumë shpejt pretendimi i të parit të Qeverisë së Kosovës u demantuar.

“Euractiv” duke i thirrur në burime e veta brenda Qeverisë së Greqisë ka raportuar se Greqia nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës.

“Pozicioni grek (sa i përket çështjes së Kosovës) nuk ka ndryshuar”, citon burimin “Euractiv”.

Gafa të tilla diplomate me çështjen e njohjeve kemi pasur edhe në të kaluarën.

Në vitin 2020, liderët institucionalë kishin njoftuar se shteti i Xhamajkës e kishte njohur Kosovën, por, më pas ky shtet afrikan e kishte mohuar një gjë të tillë.

Gjatë Qeverisë Kurti II, Kosova nuk ka marrë asnjë njohje. Shteti i fundit që e ka njohur Kosovën është Izraeli./Nacionale

Të ngjashme
Lajme • 01 Maj 2024