Lajme
Njohja e pavarësisë së Kosovës, Rusia “kërcënon” edhe Greqinë
Demokracia
15:06 | 05 Mars 2022

Share:

Ambasadori rus, Andrey Maslov, ka thënë se nëse Greqia njeh pavarësinë e Kosovës, atëherë Rusia do të “ndryshojë sjellje” karshi situatës në Qipronë Veriore.

Ambasadori rus në Greqi këto deklarata i bëri në qytetin Chalandri në një takim me gazetarë grekë, ku tentoi të arsyetonte veprimet e Rusisë në Ukrainë, përcjell Demokracia.com.

“Për tetë vjet Rusia ka bërë gjithçka që ka mundur që ta zgjidhë krizën civile në Ukrainë përmes rrugëve diplomatike dhe të ndalojë gjenocidin e popullit në Donbass nga regjimi i Kievit. Asnjë nga këto shtete perëndimore nuk i ka dënuar vrasjet e shumë personave nga ukrainasit, kur një ndërtesë u dogj në Odessa. Nuk e kanë dënuar as vrasjen e civilëve”, tha ai.

Ambasada ruse në Greqi ditë më parë ka dhënë një deklaratë kundër qeverisë greke, për të cilën, Maslov thotë se nuk ka qenë “edhe aq e ashpër”.

Gazetarët e kanë pyetur ambasadorin rus edhe për çështjen e Qiprosë Veriore, të cilën grekët e konsiderojnë të okupuar, përcjell Demokracia.com.

“Moska nuk e njeh Republikën Turke të Qiprosë Veriore, ashtu siç Greqia s’e njeh Kosovën”, ka thënë ai.

Greek Times raporton se kjo është referencë që nënkupton se nëse sjellja e Grqisë ndaj Kosovës ndryshon më vonë, atëherë edhe Moska do të ndërmarrë veprime të tjera në lidhje me territoret e Qiprosë, përcjell Demokracia.com.

Zyrtarët rusë këto ditë e kanë përmendur shumë shpesh Kosovën, kjo pasi shumë liderë perëndimorë janë duke ua kujtuar krimet që i ka bërë krimineli serb, Slobodan Milosevic në Kosovë dhe po e krahasojnë liderin e tyre, Vladimir Putin me të.

Vet ky i fundit, dje pretendoi se mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia janë nisur për në Ukrainë dhe i janë bashkuar luftës kundër Rusisë./Demokracia.com/

Të ngjashme