Lajme
Njohësit e çështjeve ndërkombëtare: Po na përsëritet historia e dhimbshme si e demarkacionit, veprimet e Kurtit, të paparashikuara
Demokracia
14:03 | 09 Maj 2024

Share:

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë se Asociacioni nuk duhet shmangur, për fat të keq.

Arifi shton se Qeveria është dashtë që të përfitojë nga kjo situatë, pasi sipas tij, rrezikon të përsëritet historia si për demarkacionin.

“Asociacioni nuk është një obligim që duhet të shmanget, pra Qeveria është dashtë që ta përdorë këtë kartë që të përfitojë më shumë. Në këtë rast, mendoj se po na përsëritet historia e dhimbshme me çështjen e demarkacionit, ku nuk e votuan në momentin e duhur dhe e humbëm momentumin për liberalizimin e vizave, ku ka qenë edhe VV’ja fajtore”, tha Arifi.

Arifi në një përgjigje për GazetaBlic thekson se, Asociacioni do të duhej të ishte kusht për anëtarësim në NATO apo në BE.

Por, sipas tij, Qeveria e Kosvës nuk u tregua strategjike në këtë rast dhe siç thotë ai, rrezikohet anëtarësimi në KiE.

“Asociacioni do të duhej të ishte për një anëtarësim në NATO apo në Bashkimin Evropian, por Qeveria e Kosovës nuk u tregua strategjike. Mund ta rrezikojëm prognozën për anëtarësim në KiE”, tha Arifi.

Edhe analisti politik, Arbnor Sadiku në një prononcim për GazetaBlic thotë se, nuk dihet nëse Kosova do ta kalojë kushtin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

E për këtë ai fajëson edhe veprimet e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, teksa tha për të se nuk mund të parashihen veprimet e tij.

“Nuk dihet nëse Kosova do të kalojë kushtin e fundit për anëtarësim në KiE, pasi që kërkesa e Bashkësisë Ndërkombëtare ka qenë eksplicite rreth anëtarësimit, për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Sadiku.

“Bazuar në përvojën e kaluar, Kurti ka qenë jo i besueshëm dhe kontravers për ta, lidhur me përmbushjen e kërkesave të tyre, nuk mund të parashihen veprimet e tij”, tha Sadiku.

Të ngjashme