Lajme
Njoftim i rëndësishëm për Kurtin për përzierje zgjedhore | Kryeministër, më 29 prill ka zgjedhje në Togon afrikane
Demokracia
10:31 | 27 Prill 2024

Share:

Të hënën e 29 prillit, votuesit e shtetit afrikan, Togos, që është fqinj me Burkina Fason, Ganën dhe Beninin, do të votojnë në zgjedhjet parlamentare.

Ky është një njoftim i parëndësishëm për qytetarët e Kosovës, por me shumë gjasë mund të zgjojë kurreshtjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Gjatë tri viteve të qeverisjes së tij, kryeministri Kurti ka lënë në harresë detyrat e shtëpisë në Kosovë dhe ka shpenzuar energji të madhe, duke u përfshirë në procese zgjedhore në shtetet e rajonit, si në Shqipëri, Luginë të Preshevës dhe së fundmi edhe në Maqedoninë e Veriut. Në këto vende është përfshirë direkt, por indirekt është përzier deri në Zvicër.

Kjo përzierje e tij nuk ka mbetur pa pasoja, pasi Kurti nuk i ka shërbyer unifikimit të spektrit politik shqiptar në Luginën e Preshevës apo në Maqedoninë e Veriut, por përçarjes dhe dëmtimit të kohezionit kombëtar. Gjithashtu edhe përfshirja e tij në zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë ka dëmtuar marrëdhëniet zyrtare shtetërore mes Prishtinës dhe Tiranës zyrtare.

Duke e parë interesimin e madh të Kurtit për përzierje zgjedhore, Demokracia.com njofton kryeministrin se më 29 prill 2024, në shtetin e Afrikës Perëndimore, në Republikën e Togos, e cila ka më shumë se 4 milionë banorë, ka zgjedhje.

Udhëtimin drejt Togos, kryeministri Kurti mund ta shfrytëzojë edhe për të qartësuar pozicionin e këtij shtetit rreth (ç)njohjes së pavarësisë së Kosovës, e cila ndodhi gjatë mandatit të tij.

Më 16 janar 2023, Ministri i Punëve të Jashtme, Integrimit Rajonal dhe Diasporës i Togos, Robert Dussey, ka thënë në Beograd se ky shtet ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme