Lajme
Njeriu që Kosova e shpalli nongrata, udhëheqës i qendrës së grupit famëkeq “Wagner” që u hap në Serbi
Demokracia
14:46 | 08 Dhjetor 2022

Share:

Grupi paraushtarak Wagner, udhëheqësi i të cilit është Yevgeny Prigozhin, një biznesmen rus dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, njoftoi në kanalin Telegram se ka hapur në Serbi qendrën e tyre kulturore dhe informative të miqësisë dhe bashkëpunimit “Orly (Shqiponja)”.

“Me nxitim po ju informojmë për rezidencën tonë të re ‘Qendrën PMC Wagner – Qendra Kulturore dhe Informative Ruso-Serbe e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ANO Orly’. Ideologu dhe udhëheqësi i Qendrës është Aleksandar Lisov”, thonë ata në platformën e Telegramit.

Ata kujtojnë se në vitin 2017, “si rezultat i aktiviteteve të tija bamirëse, autoritetet e Prishtinës e kanë përfshirë Lisovin në listën e personave të ndaluar për të hyrë në territorin e Kosovës”.

Misioni i qendrës është diplomacia publike, qëllimi i së cilës është forcimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis Rusisë dhe Serbisë”.

“Shqiponjat, si reparte të Qendrës PMC Wagner, merren me llogaritë informative të liberalëve rusë që kanë ikur në Serbi dhe po përpiqen të kryejnë aktivitete antiruse me qëllim të diskreditimit të Rusisë dhe përkeqësimit të marrëdhënieve midis popullit rus dhe serb”, shkruan në njoftim.

Ndër të tjera, thuhet se ata së bashku me bashkëpunëtorët nga Serbia dhe Rusia i kanë ngritur një monument Princit të shenjtë rus, Aleksandar Nevskit në qendër të Beogradit.

Duke reaguar në Twitter, Ivana Stradner, bashkëpunëtore hulumtuese e Fondacionit Amerikan për Mbrojtjen e Demokracisë dhe eksperte për luftën hibride, propagandën ruse dhe dezinformimin, kujton se disa muaj më parë kishte paralajmëruar këtë lloj bashkëpunimi mes Rusisë dhe Serbisë.

“Para disa muajsh njoftova bashkëpunimin mes Rusisë dhe Serbisë në fushën e sigurisë së informacionit dhe njerëzit më thanë se jam paranojake! Bashkëpunimi ndërmjet Qendrës Wagner dhe Serbisë po ndodh. Cilën pjesë të këtij mesazhi nuk e kupton Perëndimi?”, shkroi Stradner në Twitter.

Përfaqësuesit e “qendrës kulturore” të përmendur ruso-serbe kanë dërguar tashmë kërcënime serioze për kritikët e regjimit në Moskë, shkruan agjencia e lajmeve sarajevase, Patria.

Të ngjashme