Lajme
Njëri urdhëroi bombardimin e Serbisë, tjetri njohu pavarësinë e Kosovës| Gjesti simpatik që bënë sot Clinton e Bush
Demokracia
23:37 | 18 Mars 2022

Share:

Ish-presidentët amerikanë, Bill Clinton e George W. Bush mbetën dy prej miqve më të afërt të Kosovës. Kontributi i tyre në formimin e shtetit vlerësohet nga secili shqiptar. Në kohën kur Ukraina po përballet me një situatë të ngjashme si Kosova, të dy kanë bërë një gjest mjaft simpatik.

Clinton e Bush të premten me lule në dorë kanë vizituar një kishë ukrainase në SHBA, për t’u solidarizuar kështu me popullin që po përballet me pushtimin nga Rusia, përcjell Demokracia.com.

“SHBA qëndron e bashkuar me popullin e Ukrainës në luftën e tyre për liri dhe kundër shtypjes”, ka thënë Clinton përmes një videoje të publikuar nga vizita në këtë kishë.

Bill Clinton kishte urdhëruar fillimin e fushatës bombarduese kundër Beogradit, i cili në atë kohë, njëjtë si Rusia ndaj Ukrainës, po kërkonte pushtimin e Kosovës duke kryer gjenocid ndaj populli shqiptar.

Më 24 mars të vitit 1999, aeroplanët e NATO-s lëshuan raketat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë.

Presidenti atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë. Lufta mori fund pas një operacioni 78-ditor të NATO-s, përcjell Demokracia.com.

Më vonë, në krye të SHBA-së erdhi George W. Bush. Ish-presidenti amerikan përgjatë kohës sa udhëhiqte këtë shtet, në vazhdimësi ka treguar përkrahjen e tij ndaj Kosovës.

Pak muaj para shpalljes së pavarësisë, gjatë një vizitë në Tiranë në gusht të vitit 2007, Bush kishte deklaruar se Kosova është shtet i pavarur.

“Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare.

Pak muaj më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj.

SHBA-ja ishte ndër shtetet e para që njohu Kosovën si shtet të pavarur dhe që prej atëherë ka treguar përkrahjen e saj duke e ndihmuar vendin në forma të ndryshme./Demokracia.com/

Të ngjashme