Lajme
“Njëri nxori armën nga brezi, tjetri nga çanta”, deklaratat e të dyshuarve në rastin “Bon Vivant”
Demokracia
20:55 | 07 Gusht 2023

Share:

“Përleshje me shishe qelqi në kokë, njëri nxori armën nga brezi e tjetri nga çanta e dorës”, kështu thuhet se erdhi deri tek vrasja në “Bon Vivant”, në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç) ndaj tre të dyshuarve Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari K.R.

Sipas vendimit të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve për këtë rast, sepse ekziston dyshimi i bazuar se pas një përleshjeje fizike në mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë, me të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani të ndjerin K.R dhe personit të paidentifikuar deri më tani në anën tjetër, me dashje që ta privojnë nga jeta njëri-tjetrin, fillimisht janë përleshur fizikisht, e më pas janë shkrepur edhe armët, ku si pasojë e ka ndërruar jetë K.R.

“Derisa në lokalin e lartcekur ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri K.R si dhe një person tjetër deri më tani i pa identifikuar, në lokalin e lartcekur kanë ardhur të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti dhe kanë qëndruar në këmbë në afërsi të tavolinës ku ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati dhe tani i ndjeri K.R, në atë moment me të vërejtur se në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti, atëherë i ndjeri K.R e ka nxjerr armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati e ka nxjerr armën e zjarrit  nga një çantë e dorës ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimit.

Tutje, thuhet se gjatë kësaj përleshje, tani i ndjeri K.R e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti dhe në atë moment Andi Pajaziti nxjerrë armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të K.R, kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj dhe K.R shkrepin me armë të zjarrit në drejtim të Andi Pajazitit, me ç’rast thuhet se kanë rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë të cilët kanë pësuar lëndime trupore nga predhat e hedhura nga armët e zjarrit.

E po ashtu, në këtë vendim thuhet se lëndime trupore kanë pësuar edhe tani të pandehurit Andi Pajaziti dhe Hisni Gecaj, si dhe tani i ndjeri K.R., ku ky i fundit nga plagët e marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa nga xhamat e thyer nga gotat e thyera të qelqit dhe gjatë ikjes lëndime kanë pësuar edhe persona tjerë të dëmtuar në këtë rast, me çka të pandehurit e lartcekur kanë shkaktuar rrezik të madh të përgjithshëm për jetën e njerëzve.

Më pas, thuhet se të pandehurit kanë ikur nga vendi i ngjarjes dhe armët kanë arritur t’i fshehin.

Pajaziti dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal, “Mbajtja në pronësi, në kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 2 të Kodit Penal dhe veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 të KPRK-së.

Kurse, Gecaj dyshohet për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187 të KPRK-së dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të KPRK-së. Kurse, i pandehuri Zakuti dyshohet për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje, sipas vendimit që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, në seancën dëgjimore të mbajtur më 6 gusht 2023, mbrojtësi i të dyshuarit Andi Pajaziti, avokati Fanol Krasniqi deklaratën e tij e kishte filluar me një thënie “vepra e kryer pa dëshirën time, nuk është vepër e imja”, e cila thënie tha se ka të bëjë pikërisht me të mbrojturin e tij Pajaziti që sipas tij i njëjti është gjendur në një situatë “vdis ose mbroje veten”.

Avokati Krasniqi gjithashtu kishte deklaruar se i vetmi veprim i Andit kishte qenë që ta zmbraps sulmin, sulm i cili theksoi se ka qenë i vërtetë e i kundërligjshëm në drejtim të tij.

Viktima në këtë rast sipas deklaratës së avokatit është pa dëshirën e të mbrojturit të tij Pajaziti.

Këtë deklarim të avokatit Krasniqi të dhënë në seancë dëgjimore, në vendim thuhet se e ka përkrahur i dyshuari Andi Pajaziti dhe i njëjti kishte deklaruar se nuk është në gjendje që të flas.

Ndërsa, mbrojtësja e të dyshuarit Hisni Gecajt, avokatja Luljeta Maxhuni në seancë dëgjimore thuhet se e kishte kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, pasi që sipas saj, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase.

E njëjta kishte deklaruar se i mbrojturi i saj, është gjendur vetëm në vendin dhe kohën e gabuar.

Ndryshe, nga Pajazitaj që nuk kishte qenë në gjendje të flasë, i dyshuari Gecaj në seancë dëgjimore kishte deklaruar se ka qenë në vendin dhe kohën e gabuar.

“Unë e kam vërejtur që situata po eskalon dhe kam dashur që të ndërhyjë që të parandaloj eskalimin e situatës, për arsye se në fillim ka filluar si rrahje dhe nuk e kam ditur se do të përdoren armët, unë kam qenë vetë por kur kanë filluar kacafytjet, pasi që unë e njoh edhe Andin edhe të ndjerin kam dashur që të ndërhyje dhe t’i ndaj”, kishte deklaruar Gecaj në seancën dëgjimore.

I njëjti kishte deklaruar se sipas tij ndërhyrja është humane pasi që qëllimi ka qenë vetëm të parandalohet konflikti.

“Thikën e kom mbajtur pasi që është thikë ushtarake që e mbajmë në ushtri, thika ka qenë 5-6 cm dhe ngjyrën e ka ushtarake dhe jam i bindur se unë e kam derën hapur tek të dyja palët”, kishte deklaruar tutje Gecaj.

Edhe mbrojtësja e të dyshuarit Gëzim Zakuti, avokatja Teuta Beka-Bunjaku në seancë dëgjimore thuhet se e kishte kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit e cila kishte deklaruar pasi që sipas saj me asnjë provë nuk është arritur që të mbështes dyshimin e bazuar se i mbrojturi i saj ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Ajo kishte deklaruar se i mbrojturi i saj Zakuti, vetëm e kishte ndihmuar Andin që të dalë nga një gjendje e tillë dhe sipas saj nëse i njëjti do të ishte pjesëmarrës në rrahje do të kishte ndonjë gërvishje por ai është në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkaq, sipas vendimit, i dyshuari Zakuti në seancën dëgjimore kishte thënë se në atë lokal nuk kishin shkuar me qëllime të përleshjes.

“Të vetmen vepër që unë e kam bërë është që kam dashur ta tërheq Andin nga përleshja kur e kam parë se në çfarë gjendje është, nuk kam pasur asnjë përleshje me askund”, kishte deklaruar Zakuti.

Gjykata dyshimin e bazuar mirë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve thuhet se e ka bazuar në bazë të provave dhe nga shkresat e lëndës të ofruara nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nga kallëzimi penal, si dhe nga deklaratat e dëshmitarëve.

“Të gjitha këto prova e argumentojnë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilat dyshohet dhe se plotësohet kushti i përgjithshëm-dyshimi i bazuar i paraparë me nenin 184 par. 1 nën par. 1.1 dhe 1.2 të KPKR-së, e që është bazë ligjore e përgjithshme për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Gjykata po ashtu ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e masës së paraburgimit ngase tani të pandehurit mund të arratisen ose fshihen, me çka do të vështirësohej prania e tyre në këtë procedurë, mund të ndikojnë në mbledhjen e provave konkretisht tek dëshmitarët, si dhe duke pasur parasysh peshën  veprës penale, pasojën e saj për faktin se në këtë rast ka një viktimë dhe shumë të lënduar ekziston edhe rreziku se kjo vepër mund të përsëritet.

“Andaj, me qëllim të zhvillimit të rregullt dhe të pa pengesë të procedurës penale në këtë çështje penale juridike është e nevojshme që të pandehurve t’i caktohet masa e paraburgimit pasi që me asnjë masë tjetër alternative nuk do të arrihet që të sigurohet prania e tyre gjatë zhvillimit të procedurës në këtë çështje penalo-juridike dhe procedura të zhvillohet pa pengesa”, thuhet në vendim.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” ka siguruar edhe kërkesën për caktimin e paraburgimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, të parashtruar më 5 gusht 2023, ndaj të dyshuarve Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti, ku thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 4 gusht 2023, rreth orës 23:17 minuta në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë pas një përleshjekr fizike mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë, me të pandehurit Dukagjin Nikollaj tani të ndjerit K.R dhe personit të paidentifikuar deri më tani në anën tjetër më dashje që ta privojnë nga jeta njëri-tjetrin, fillimisht janë përleshur fizikisht e më pas janë shkrepur edhe armët ku mbeti si pasojë e ka ndërruar jetë K.R.

I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, të shtunën (5 gusht) njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njoftoi të shtunën se 17  persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar të premten pas mesnate se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.

Të ngjashme