Lajme
Njëri doganier dënohet me 6 muaj burgim për korrupsion, tjetri lirohet nga akuza në mungesë të provave
Demokracia
10:26 | 18 Nëntor 2022

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, e ka dënuar me 6 muaj burgim efektiv doganierin Artan Ferati, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa ka liruar nga akuza doganierin Besnik Beshi, i akuzuar për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të premten, nga gjykatësja e rastit Alltëne Murseli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Murseli tha se dënimi me burgim prej 6 muajsh ndaj të akuzuarit Ferati mund të zëvendësohet me dënim me gjobë prej 3 mijë euro, me pëlqimin e të njëjtit.

Sa i përket të akuzuarit Beshi, e njëjta tha se gjykata ka marrë aktgjykim lirues, pasi që nuk ka prova se i njëjti ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar dhe se shpenzimet procedurale për të njëjtin do të bien në barrë të gjykatës.

Ndërkaq, i akuzuari Ferati obligohet që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 100 euro dhe në emër të fondit të viktimave shumën prej 50 euro.

Bashkë me të pandehurit Beshi dhe Ferati janë akuzuar edhe avokati Xhevdet Rama dhe punëtori i kompanisë “Bashkimi”, Avdullah Latifi, për të cilët, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 mars 2019, e kishte aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të lidhur mes tyre dhe prokurorisë.

Më 22 mars 2019, Rama ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, i cili dënim ishte zëvendësuar me gjobë në shumë prej 2 mijë e 500 euro.

Kurse, i akuzuari Latifi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Edhe dënimi me burgim ndaj tij është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë e 600 euro.

Përveç tyre, të akuzuar kishin qenë edhe Flamur Hoti e Selatin Krasniqi. Hoti akuzohej për falsifikim të dokumentit zyrtar, ndërsa Krasniqi për mashtrim të konsumatorëve. Ndaj të njëjtëve, ishte hudhur poshtë aktakuza dhe kishte pushuar ndjekja penale.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 korrik 2016, Xhevdet Rama me dashje kishte ndihmuar doganierin Artan Ferati për të kryer vepër penale me vënien në dispozicion të mjeteve për kryerjen e veprës penale.

Siç thuhet në aktakuzë, më 1 prill 2016, rreth orës 13:30, duke përcjellë me veturën e tij furgonin që e kishte drejtuar, i akuzuari Selatin Krasniqi, me vetëdije të plotë e kishte transportuar oficerin doganor Artan Ferati prej ZBD në Prizren, deri në Prishtinë.

Më pas, thuhet se me të arritur në SHPK “Eri Group” për asgjësim të 2 mijë e 880 copë të parfumeve “Paco Rabane 1 Milion”, si produkte të ndaluara, të importuara nga Kina prej importuesit N.T.T.SH “Te Bashkimi”, me pronar Bashkim Latifin, me dëshirë që i akuzuari Ferati të mos përkujdesej për mbarëvajtjen e procesit të shkarkimit dhe shkatërrimit të plotë të mallit të falsifikuar, sipas urdhrit të të akuzuarit Rama, punëtorët fizik i kishin nxjerrë vetëm dy paketa dhe i kishin dërguar te presa, ku ato ishin asgjësuar.

Tutje, thuhet se paketat tjera nuk ishin shkarkuar nga furgoni dhe me to ishte larguar furgoni i drejtuar nga Avdullah Latifi.

Pastaj, sipas aktakuzës, këtë furgon e kishin ndaluar hetuesit e kundër kontrabandës së Doganës së Kosovës dhe gjatë kontrollit kishin gjetur dhe konfiskuar parfumet e destinuara për shkarkim, kurse i akuzuari Ferati ishte larguar nga vendi i ngjarjes bashkë më të akuzuarin Krasniqi, e më pas ishte larguar edhe i akuzuari Rama.

Ndërkaq, i akuzuari Latifi thuhet se së bashku me të akuzuarin Artan Ferati, si persona zyrtarë kishin shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe nuk i kishin përmbushur detyrat me qëllim që tjetri të fitojë dobi pasurore.

Këtë thuhet se e kanë bërë më 1 prill 2016, gjatë procesit të asgjësimit të produkteve të parfumit, i akuzuari Ferati si doganier dhe i akuzuari Latifi punëtor në NP “Te Bashkimi” në Prishtinë, pas shkatërrimit të dy paketave, nuk ishin interesuar edhe për shkarkimin e produkteve të tjera të mbetura në furgon dhe asgjësimin e tyre përmes presës speciale.

E pas konfiskimit të të njëjtave nga Njësiti Anti-Kontrabandë i Doganës së Kosovës, Latifi i kishte prezantuar hetuesve dy fatura dhe kuponë fiskal me shënimin kinse po transportohet ujë tualeti.

Të akuzuarin Latifi, prokuroria e ngarkonte me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ramën e akuzonte për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme