ShowBiz
Njerëzit në rrjetet sociale po i kërkojnë ndjesë Amal Clooney, por pse?
Demokracia
13:31 | 22 Maj 2024

Share:

Interneti s’para ndërron mendje për përshtypjet që ka për VIP-at, madje, shpeshherë dhe i përforcon mendimet, ndaj rasti i Amal Clooney është paksa i rrallë. Në shumë video që po qarkullojnë në TikTok dhe komente nëpër Instagram, njerëzit po i kërkojnë falje Amal. Sigurisht, arsyeja është e rëndësishme!

 

 

Amal Clooney zbuloi se ishte në panelin e ekspertëve ligjorë që dorëzuan kërkesën për një urdhër arresti për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili urdhëroi edhe vijimin e ofensivës në Rafah, ku strehoheshin me mijëra palestinezë. Amal ishte pjesë e panelit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Bashkëshortja e George Clooney është avokate e të drejtave të njeriut dhe ajo dha kontributin e saj në vlerësimin e provave të krimeve të dyshuara të luftës dhe kundrejt njerëzimit në Rripin e Gazës. Ajo dhe ekspertë të tjerë të së drejtës ndërkombëtare dakordësuan njëzëri që t’i rekomandojnë kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare, Karim Khan, të kërkojë urdhër arreste për Benjamin Netanyahu (kryeministri i Izraelit) dhe Yahya Sinwar Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh (liderë të Hamasit), përgjegjës për krimet e luftës në Gaza dhe Izrael.

Benjamin Netanyahu reagoi ndaj vendimit dhe tha se e kundërshton me neveri. Sipas tij, ky vendim është një sulm ndaj Izraelit.

 

 

Znj. Clooney, e cila më parë ishte përballur me kritika të shumta pasi nuk kishte bërë një reagim për luftën në Gaza dhe Izraeli, iu bashkua panelit para 4 muajsh.

“Kam shërbyer në këtë panel sepse besoj në sundimin e ligjit dhe nevojën për të mbrotjur jetët e civilëve. Si avokate e të drejtave të njeriut, nuk do të pranoj kurrë që jeta e një fëmije të ketë më pak vlerë se e një tjetri; nuk do të pranoj që një konflikt të jetë jashtë kufijve të ligjit dhe që as ndonjë dhunues të jetë mbi ligjin. Kështu që, unë mbështes hapin historik që ka ndërmarrë prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të sjellë drejtësi për viktimat e mizorive në Izrael dhe Palestinë”, u shpreh ajo.

Interneti e quajti kontributin e saj si shumë të nevojshëm gjatë kësaj tragjedie që po ndodh në Gaza. “Amal, të kemi kritikuar kot. Të kërkoj shumë ndjesë”; “Amal, je një grua e jashtëzakonshme”; “Amal, të duam!”, ishin disa prej reagimeve.

Të ngjashme