Lajme
“NJË VIT PAAFTËSI” – udhëpërshkrues i LDK’së apo i Qeverisë Kurti?
Demokracia
23:30 | 22 Mars 2022

Share:

Ideja duket e mirë, përbrenda ka përmbajtje dhe kritikë të mbështetur, por jo gjithçka është e realizuar si duhet.

LDK-ja sot e ka publikuar një broshurë të emërtuar “1 vit paaftësi”, ku lart e ka logon e LDK-së, që në shikim të parë më shumë duket sikur është ndonjë përmbledhje e paaftësisë së LDK-së sesa e Qeverisë Kurti në këtë njëvjeçar të saj, shkruan Demokracia.com.

Titulli dhe logoja e LDK-së e bëjnë të duket këtë broshurë më shumë si udhëpërshkrues i LDK-së.

Ky vit qeverisës, sipas LDK-së, është përcjellë me populizëm, arrogancë, arsyetime tek e shkuara e mungesë të qartë të vizionit zhvillimor për Kosovën.

“Nga kriza e pandemisë, tek ajo e energjetikës e deri tek rritja alarmante e çmimeve – Qeveria Kurti ka vendosur t’i braktisë qytetarët tanë, dhe në betejën e tyre me përballueshmërinë, të sillet si vështruese e krizave. Ajo ka dështuar të reagojë me kohë; siç ka refuzuar të ndërmarrë masa adekuate që do të zbusnin secilën krizë. Kjo qeveri, në paaftësinë e saj vepruese për qytetarë, megjithatë ka qenë e aftë të kapë borde, kompani publike e institucione të pavarura me të afërm e familjarë. Kapja e këtyre institucioneve jetike për funksionalizimin e shëndoshë të shoqërisë, ka rezultuar të jetë fatale në secilin ballafaqim me krizë. Në politikë të jashtme, kjo qeveri është karakterizuar nga skandale me dëme të pa riparueshme për pozitën e vendit – me komunikime të turpshme e amatoreske dhe diskurs jo adekuat diplomatik. Mbi të gjitha, është karakterizuar me mungesë të takimeve të rëndësishme në nivel ndërkombëtar. Izolimi i Kosovës po merr formë çdo ditë; dhe në rrethanat e reja gjeopolitike, mosaktivizimi i Qeverisë tonë është humbje e jashtëzakonshme e mundësisë”, ka thënë lideri i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku.

Në politikën e brendshme, sipas tij, Qeveria Kurti ka qenë sa arrogante aq edhe konfliktuoze.

“Në secilën përfshirje të saj, me institucionet e drejtësisë, me sindikatat e pavarura, me përfaqësuesit e biznesit, me trupat tjerë autonom – dhe me vet spektrin politik në vend, kjo qeveri ka dështuar të sigurojë konsensusin minimal për një demokraci të shëndoshë e prosperuese. Tendencat e saja kontrolluese prej pushtetit absolutist, janë përcjellë me sulme edhe ndaj medieve e ndaj fjalës së lirë.

Dëshpërimi qytetar me një qeverisje të tillë, përtej zërit votues në zgjedhjet lokale të 17 tetorit e 14 nëntorit, është përcjellë dhe me largim masiv të qytetarëve tanë, të të rinjve e të rejave, profesionistëve e punëtorëve nga Kosova. Sot, rreth 55% e kosovarëve konsiderojnë largimin nga Kosova; dhe ky fakt duhet të na shqetësojë të gjithë”, ka shkruar ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme