Lajme
Një vit nga “marrëveshja historike” që “hallakati” veriun e Kosovës
Demokracia
11:37 | 27 Shkurt 2024

Share:

Në vitin 2023, bashkësia e organizuar ndërkombëtare kuptoi se duhej ta shtynte përpara dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi para se të bëhej tepër vonë, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë. Nën hijen e realiteteve të reja gjeopolitike, diplomatët perëndimorë u përpoqën të nxisnin palët drejt pranimit të një marrëveshjeje kompromisi të negociuar.

Kjo rezultoi në propozimin e marrëveshjes së iniciuar nga Franca dhe Gjermania – dy vendet kryesore të Bashkimit Evropian (BE) – e cila dukej se bazohej në modelin e Marrëveshjes Bazë të nënshkruar midis dy Gjermanive në vitin 1972 që rezultoi në njohje ndërkombëtare dhe anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të dy vendet.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç supozohet se e pranuan marrëveshjen më 27 shkurt 2023 në Bruksel të Belgjikës. Pastaj u arrit një dakordim për planin e sekuncimit të marrëveshjes më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, marrëveshjes i mungon një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve kryesorë.

Marrëveshja e Brukselit ofron njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare. Dy fqinjë armiqësor që assesi të dalin nga konflikti, do të shkëmbejnë misione të përhershme dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt integrimeve evropiane. Serbia, po ashtu, u zotua se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në Kosovë, në këmbim, do t’i formalizohej statusi. Një një mënyrë më elegante është pranuar edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, duke siguruar “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit” për komunitetin serb që përbën shumicën në pjesën veriore të vendit. Por, përgjatë rrugës situata u përkeqësua.

Një konflikt i madh shpërtheu në pjesën veriore të Kosovës kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimit të serbëve lokalë që pastaj u egërsuan duke lënduar rëndë mbi 100 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s.

Policia e Kosovës vazhdoi të arrestonte kriminelët serbë të veriut, ndërsa Serbia u përgjigj duke arrestuar tre policë të Kosovës më 14 qershor në vijën kufitare, duke i akuzuar se kishin hyrë ilegalisht në territorin e Serbisë. Kështu, ekzekutivi kosovar vendosi embargo ndaj mallrave serbe. Sëkëndejmi, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë gati sa çuan në luftë.

Megjithatë, konflikti i ngrirë arriti pikën më 24 shtator, kur disa paramilitarë serbë të armatosur rëndë, nën udheheqjen e ish-nënkryetarit të Listës Sërpska, Millan Radoiçiç, sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjë të Zveçanit në veriun e vendit. Në vend u vra një polic dhe u plagosën dy të tjerë, ndërsa tre nga anëtarët e grupit gjithashtu gjetën vdekjen.

E ngjarjet e fundit, përveç se dëshmuan se paqja midis dy vendeve është akoma e brishtë, posaçërisht pas inkursionit terrorist, treguan gjithashtu se nuk është arritur pothuajse asnjë progres drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së.

Të ngjashme